TIRANE, 7 korrik 2013 – Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe kërkoi dje largimin e kryeministrit Berisha, pas deklaratës së zëdhënëses së qeverisë, Erla Mëhilli, sipas së cilës pretendimi i opozitës për një “qeveri kujdestare” deri në mandatimin e pasardhëses është anti-kushtetues.
Në një postim në rrjetin social, “Facebook”, Braçe tha se:
“Sali Berisha as e ka kuptuar që ka humbur dhe as që e pranon humbjen! Paska nxjerrë zëdhënësen të thotë: Rama po sulmon, Rama po merr revansh, ne-dmth Berishët, kemi mandat deri në shtator, ne-dmth Berishët, do vendosim deri në shtator. Eeej, keni humbur! Berisha humbi, e ndëshkoi populli me votë, e përzuri nga pushteti!”, – shkroi dje Braçe.
“Tamam për këtë ju e qatë me lot! Për ditë të tëra e qatë! Nuk ka më shqiptarë që presin më prej Berishës! Nuk presin më asnjë vendim prej tij! Duan vetëm të ikë! Tani dhe pa lënë litarin jashtë!”, – e ka përfunduar reagimin e tij në “Facebook”, deputeti socialist Braçe.
Më herët zëdhënësja e kryeministrit deklaroi se qeveria ka legjitimitet të plotë deri shtator dhe të gjitha vendimet e marra prej saj janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. Sipas Mëhillit, kërkesa e Ramës për qeveri kujdestare është antikushtetuese.





