Tiranë, 23 gusht 2014 – Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Barçe bën me dije se ky komision ka kërkuar informacion nga Guvernatori Ardian Fullani lidhur me vjedhjen e Thesarit të Shtetit. 

Në një postim në "Facebook" Braçe shkruan se para një jave i kanë dërguar shkresë Guvernatorit Fullani ku i kanë kërkuar informacion të plotë lidhur me personelin, nepotizmin, klientelizmin e Bankës së Shqipërisë. 

“Para një jave i dërguam shkresë Fullanit. Informacionet e kërkuara mbi personelin, nepotizmin, klientelizmin. Kërkuam informacion për shpenzimet dhe kontratat. I lamë Fullanit një javë kohë për të dhënë informacion. Afati për informacion nga Fullani mbaroi dje”– shkruan Braçe. 

Më tej ai thekson se Guvernatori refuzon të dorëzojë në Kuvend informacionin duke penguar në këtë mënyrë punën e komisionit.

“Informacionet janë të domosdoshme para seancave dëgjimore me Këshillin Mbikëqyrës. Komisioni i Ekonomisë e ka për detyrë mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë dhe do e kryejë detyrën pavarësisht pengesave. Vjedhja e bankës nuk mbyllet se do Guvernatori. Vjedhja si çështje do mbyllet vetëm pasi të dalin përgjegjësit. Do ketë ndryshime ligjore që e çlirojnë Bankës e Shqipërisë nga politika” – shkruan Braçe.