Seanca parlamentare e sotme pritet të jetë e nxehtë, pasi ajo vjen pas një jave të mbushur me protesta qytetare kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe produkteve të shportës. Pikërisht rritja e çmimeve do të jetë në qendër të vëmendjes, pasi deputeti i PS-së Erion Braçe ka kërkuar 2 interpelancave me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca.

Socialisti kërkon informacion në lidhje me sektorët dhe masat mbështetëse përmes fondeve të Programit të Zhvillimit Rural 2022, si dhe në lidhje me projektin për vaditjen e Divjakës dhe më gjerë.

Po ashtu, një rëndësi të veçantë në seancë pritet të ketë edhe Raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimin Europian, për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në Kuvend sot pritet të diskutohet edhe për projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”.

Po ashtu, sot pritet të ratifikohet marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjedaljes së mallrave”. Po ashtu, do të votohet edhe për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare”.