TIRANE, 4 prill 2013 – Deputeti i PS-së, Erjon Braçe e ka quajtur të pajustifikueshme votën pro ndryshimeve në kabinetin qeveritar nga dy ish deputetët socialistë, tashmë të vetëdeklaruar kandidatë të pavarur, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani.
Reagimi është bërë në profilin e tij në FB, ku sipas Braçes, mund të justifikohet qëndrimi kundër Edi Ramës, por jo vota pro ministrave të Berishës.
Postimi i plote
Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani janë dy miq të mi.
Kemi bërë beteja të përbashkëta gjatë 4 viteve më të vështirë të Kuvendit e të PS në Kuvend.
Të dy sakrifikuan më shumë se unë kur vendosën të hyjnë në grevë urie për votën, votën e lirë, timen, tënden, tuajën, tonën.
Ju kam dhënë të drejtë në atë që është konsumuar me ta dhe ndaj tyre, veçmas në çështjen e rikandidimit të tyre. (për mua jo parimore, jo statutore, jo transparente, e padobishme)
Por, ua kam thënë gjatë këtyre ditëve dhe ua thashë edhe sot:
Mund te justifikohet me argumentet tuaja qëndrimi kundër Edi Ramës; poooor
Nuk mund të justifikohet kurrë, me asgjë, vota juaj pro ministrave të Sali Berishës. Nuk e pranoj nga asnjë socialist këtë!
Do ta refuzoj gjithnjë dhe ndaj kujtdo që do të bëjë, qoftë edhe miku im!





