TIRANE – Deputeti socialist Erjon Braçe deklaron se shkaku i krizës së thellë energjetike që po përjeton Shqipëria është menaxhimi politik i sektorit, që nisi në vitin 2008, kur u privatizua kompania e shpërndarjes.
"U shit pasuria më e madhe e shqiptarëve me letra të bardha pa kushte që janë të tilla, të bardha edhe pas katër vitesh në zyrat e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo në fletoren zyrtare dhe u shit me qëllime politike po prapë te një kompani shtetërore çeke që ishte presidentja e radhës e Bashkimit Evropian",- u shpreh Brace.
Braçe deklaroi se menaxhimi politik i sektorit u thellua në vitin 2009 me zgjerimin e koalicionit qeverisë, që sipas tij solli administrimin për interesa politike të kompanive publike KESH dhe OST.
"Ashtu siç, në mënyrën më të keqe të mundshme ndryshoi karakteri i Enti Rregullator i energjisë, duke u kthyer në një ent mirëfilli politik që u nda me përqindje mes dy partive që sot qeverisin, PD dhe LSI-së. Ka qenë një dëm kolosal, sepse vendimmarrja e tillë ka kushtuar jashtë mase mbi qytetarët e Shqipërisë, thjesht në përmbushje të interesave qeveritare në raport me kompaninë CEZ.
Qytetarët shqiptarë janë të vetmit në botë që paguajnë dy herë energjinë elektrike. Një herë paguajnë kur paguajnë faturën e energjisë elektrike, kur ju shkon në shtëpi, 200 për qind më shtrenjtë se në 2005 dhe herën e dytë paguajnë përmes buxhetit të Shtetit",- tha Braçe.
Zvarritja e zgjidhjes së krizës që ka përfshirë sektorin po e rëndon edhe më shumë faturën. Prej disa ditësh ndërprerjet janë bërë të shpeshta në gjithë vendin, duke vënë në dyshim sigurinë e furnizimit me energji.
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur zyrtarisht procedurat për rishikimin e licencës së CEZ dhe brenda pak ditësh pritet të marrë një vendim përfundimtar.