DURRËS, 18 janar 2015 – Nafta në Porto Romano vjen me një çmim 47,6 lekë litri dhe shitet në distributor me 167 lekë, kurse benzina vjen me 42,8 lekë litri dhe shitet te pakica me 170-172 lekë.
Deputeti socialist dhe kryetar i komisionit të përhershëm kuvendar për ekonominë dhe financat Erjon Braçe, në një postim në faqen e tij në FB, pas një të mëparshmi të botuar në formë opinioni në “Dyrrah” (http://www.durreslajm.com/opinione/ja-e-verteta-pse-nuk-bie-cmimi-i-naftes-te-distributori), lidhur me monopolet në karburante, analizon të dhënat më të freskëta të marra në doganën e Durrësit, më 15 dhe 16 janar 2015. Del se mungesa e konkurrencës në treg mban të larta normat e fitimit të kompanive të tregtimit të hidrokarbureve; kontrolli i tregut për të dy produktet nga vetëm tri kompani, udhëzimi në fuqi që ka kthyer kompanitë e tregtimit me pakicë në agjente të kompanive të shumicës, të cilat përcaktojnë çmimet. Ja analiza e gazetarit me formim ekonomist-financier Erjon Braçe.
PËR 1 LITËR NAFTË / TË DHËNAT NGA DOGANA NË DATËN 15 JANAR 2015
Vlera e importit në portin e Durrësit (Porto Romano / Romano Port): 47,663 lekë, tatimet dhe taksat (akciza 37 lekë, taksa e qarkullimit 27 lekë, taksa e karbonit 3 lekë, tatimi mbi vlerën e shtuar 22,933 lekë); totali: çmimi i 1 litër naftë të importuar (bashkë me kostot e transportit etj), plus taksat dhe tatimet 137,596 lekë.
Çmimi i naftës në pompë: 167 lekë.
Diferenca: 30 lekë për litër.
Kjo diferencë, sipas tregtarëve, janë shpenzime të brendshme dhe fitimi: 20 për qind e vlerës së 1 litër naftë të importuar plus taksat!
PËR 1 LITËR BENZINË / TË DHËNAT NGA DOGANA NË DATËN 16 JANAR 2015
Vlera e importit në portin e Durrësit (Romano Port): 42,856 lekë, tatimet dhe taksat (akciza 37 lekë taksa e qarkullimit 27 lekë, taksa e karbonit 1.5 lekë, tatimi mbi vlerën e shtuar 21,671 lekë); totali: çmimi i 1 litër benzinë te importuar (bashkë me kostot e transportit etj), plus taksat dhe tatimet: 130,027 lekë.
Çmimi i benzinës në pompë: 170-172 lekë.
Diferenca: 40 lekë për litër.
Kjo diference, sipas tregtarëve, janë shpenzime të brendshme dhe fitimi: 30 për qind e vlerës së 1 litër naftë të importuar plus taksat!
Braçe jep 4 argumente kundër grosistëve lidhur me shpenzimet e brendshme dhe fitimin:
E para, shpenzimet e familjeve për naftë, benzinë e gaz janë vetëm 3 për qind e shpenzimeve familjare; nuk kanë qenë kurrë 10 për qind; pra janë vetëm 3 lekë në 100 lekë shpenzime.
E dyta, nuk janë taksat që frenojnë uljen e çmimit; përkundrazi, siç është verifikuar dhe gjatë muajve të fundit, çmimi në pompë është ulur pavarësisht taksave; sa herë ulet çmimi i importit të naftës e benzinës, për shkak të tvsh, ulet dhe vlera e taksave që paguhen.
E treta, vlera e taksave të paguara nuk është 100 lekë për litër dhe kjo verifikohet lehtë në doganë, llogaria e së cilës është më lart.
E katra, mungesa e konkurrencës në treg mban të larta, siç i shihni, normat e fitimit të kompanive të tregtimit të hidrokarbureve; kontrolli i tregut për të dy produktet nga vetëm tri kompani, udhëzimi në fuqi që ka kthyer kompanitë e tregtimit me pakicë në agjente të kompanive të shumicës, të cilat përcaktojnë çmimet.
Për kryetarin e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave Erjon Braçe cilësia jostandarde e naftës së tregtuar ka cenuar rëndë konkurrencën dhe bën që në treg të kemi çmime të padrejta të naftës e benzinës. Këto çmime po pasurojnë tregtarët që kanë nën kontroll tregun.
Braçe përsërit se institucionet shtetërore, që kontrollohen nga shumica e majtë, duhet të ndërhyjnë për të ndryshuar ligjet, udhëzimet; kontrolluar sasinë e cilësinë e naftës e benzinës në çdo pompë për të çliruar tregun dhe reflektuar plotësisht uljen e çmimit të naftës e benzinës.
/red. th. m. agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/





