Zv.kryeministri Erion Braçe ka paralajmëruar se tre gjyqtarët që vendosën zhbllokim të sekuestros së vendosur nga qeveria për tre subjekte, do t'i nënshtrohen kontrollit nga organet e drejtësisë.
"I kemi kërkuar ministres së drejtësisë dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që të shohin rastet skandaloze të një gjyqtari në Gjykatën Administrative në Tiranë, një gjyqtari në Gjykatën Administrative të Vlorës, dhe një gjyqtari në Gjirokastër që hoqi masën e sekuestros për 7 tonë ushqime të skaduara që u kapën në Sarandë, të fillojë menjëherë hetimi dhe të merren masa sepse për ne kjo situatë është e patolerueshme. Në Vlorë, gjyqtarit iu desh vetëm një minutë për të hequr sekuestron e vendosur nga tatimet, e theksoj, vetëm një minutë", tha Braçe ndërsa paralajmëron furtunë dhe penalizim për këta gjyqtarë.





