Tiranë, 15 korrik 2014 – Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar që të rihetohet vrasja e deputetit demokrat Azem Hajdari, pasi sipas tij, kanë dalë fakte të reja ndërkohë që nuk është zbardhur ende se cila ishte arsyeja e vrasjes.

“Vrasja pa motiv, domethënë e pahetuar dhe zbardhur plotësisht e Azem Hajdarit. Ka fakte të reja, që hedhin dritë për një aspekt të përfolur, por të panjohur deri në këto detaje, tërësisht të pahetuar deri tani”, shkruan Braçe në facebook.

Deputeti socialist po ashtu kërkon që të mos kalohet pa vepruar edhe çështja e transaksionit prej miliona eurosh nga Damir Fazlliç, Argita Mallltezi dhe Sali Berisha në Porto Romano, që sipas tij ka dokumente të reja që zbardhin deri në fund një transaksion që më herët dështoi të hetohet deri në fund për shkak të presionit kriminal të pushtetit.

Braçe ngre pyetjen se kush do të hetojë për këto dy çështje dhe është po vetë ai që përgjigjet: 

“Nëse nuk e bën prokurori, ta bëjnë ministrat dhe agjencitë shtetërore të zbatimit të ligjit, ato që kanë për detyrë të hetojnë vrasësit dhe transaksionet financiare në shkelje të ligjit dhe evazionit fiskal. Vrasësit dhe oligarkët e regjimit të Sali Berishës janë ende në parlament”, përfundon Braçe.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/