Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe homologun i saj nga Kosova, Hekuran Murati zhvilluan mesditën e sotme një vizitë në degën doganore në Durrës, ku që nga 1 tetori zhdoganohen të gjitha mallrat që kanë për destinacion Kosovën.
Për ministren Ibrahimaj kjo arritje mjaft e rëndësishme për rreth 1040 subjekte private në Kosovë u krijon këtyre të fundit lehtësi të shumta dhe ulje të ndjeshme kostosh.
Ndërsa për homologun e saj kosovar, zhdoganizimi i plotë i mallrave i jep më në fund Prishtinës zyrtare dalje në det.
Me investimin që do të kryhet për ndërtimin e portit të ri të mallrave në Porto Romano dhe lidhjen hekurudhore mes dy vendeve, Durrësi kthehet në një port strategjik për gjithë hapësirën shqiptare.
Për ministren Brahimaj, hapi i radhës mbi të cilin po punojnë Tirana dhe Prishtina zyrtare është bashkimi doganor.
Porti i Durrësit tashmë me hapjen e zyrës së Doganës së Kosovës, kthehet në portën unike hyrëse për sipërmarrjen kosovare në kuptimin e kontrollit doganor.
Bërja funksionale e kësaj zyre lehtëson tregtinë dhe lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe redukton ndjeshëm kostot e bizneseve dhe rrit shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
M.B.