19 qershor 2015 – Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, nga informacionet që disponon, është i bindur se Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë një plan B, për të prishur zgjedhjet e 21 Qershorit, me qëllim justifikimin dhe zbutjen e disfatës që po i pret. Nisur nga paralajmërimet dhe lëvizjet e drejtuesve të opozitës, kreu i Komisionit të Sigurisë, pohon se Sali Berisha do të sabotojë procesin zgjedhor ose nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve në njësitë që do të humbasë.
Lëvizja Socialiste për Integrim, ndryshe nga Partia Socialiste, duket se është më e shqetësuar për skenarin e gatuar në SHQUP, për përmbysjen e zgjedhjeve. Braho pohon se shqetësimin e tij për planet orgurzeza të Sali Berishës e ka ndarë edhe me kryeministrin Edi Rama në Durrës, por kryeministri Rama është treguar indiferent ndaj planeve që përfliten.
“Po, ka një skenar dhe plan B të dyshes Berisha-Basha për të prishur zgjedhjet e 21 Qershorit apo shkak për të mos pranuar dhe mosnjohur rezultatin e zgjedhjeve. Berisha-Basha janë përballë humbjes së paralajmëruar, por edhe diskretituese, pasi Partia Demokratike pritet të humbasë në bastionet e saj të fundit. Nuk mund ta mendosh, madje është një iluzion që për fakt të keq e gjen te ndonjë lider i së majtës, që Sali Berisha nuk do të tentojë të prishë zgjedhjet. Është guri i fundit që mban të fshehur nën dorë. Kështu ka bërë në të kaluarën dhe kështu do të bëjë përsëri. Personalisht jam shumë i sigurt, por nuk dua të bëj Kasandrën”, ka deklaruar Braho.
Po si do t’i sabotojë zgjedhjet Sali Berisha? Me çfarë mjetesh? “Po e përsëris me nerv, por jo me alarm dhe panik, dyshja Berisha-Basha synojnë të ndyjnë zgjedhjet. Si? Me të gjitha mjetet. Me dhunë, me tritol, me bojkot, me provokime sherresh, me largim komisionerësh dhe marifete të tjera. Rama-Meta, por edhe të gjithë socialistët, duhet të jenë të kujdesshëm, tej mase vigjilentë, për t’i djegur këta skenarë, për t’i parandaluar ato. Rëndësi ka në këto dy-tre ditë edhe angazhimi profesional dhe gjakftohtë i strukturave ligjzbatuese, komunikimi me ndërkombëtarët, monitorimi i zgjedhjeve dhe demaskimi paraprak i alibisë për të prishur zgjedhjet”, ka pohuar Braho.
Biseda me Edi Ramën
Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, ka deklaruar se shqetësimin për planet e Berishës për prishjen e zgjedhjeve ua ka shprehur Edi Ramës dhe Vangjush Dakos në Durrës. Braho ka pohuar se Rama dhe Dako janë treguar indiferentë ndaj një skenari të tillë të mundshëm. “Madje, si i “rrahur me vaj e uthull” me zakonet e Saliut, ua thashë këtë shqetësim, jo për të kaluar radhën dhe larë shpirtin e Edi Ramës dhe Vangjush Dakos në Durrës. Por, Rama dhe Dako m’u dukën të çuditur dhe të pavëmendshëm, ndoshta për shkak të euforisë së fitores”, ka deklaruar Braho.
Shqetësimi i mazhorancës
Edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar disa ditë më parë, se Partia Demokratike e ka braktisur garën me Partinë Socialiste, duke konsideruar LSI-në si kundërshtare në këto zgjedhje. Meta ka pohuar se ka një përpjekje nga opozita për të krijuar një situatë të paqenë dhe artificiale. Mazhorancës i duhet një lëvizje e urdhëruar nga Sali Berisha, i cili mund të tërheqë komisionerët në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve në momentin më delikat të procesit. Si alibi do të përdoret inskenimi i akteve të dhunës, shpërthimeve dhe kërcënimeve. Në bashkitë ku garojnë kandidatët e LSI, kandidatët e PD kanë nisur të kërcënojnë veten, për të krijuar një situatë tensioni dhe represioni parazgjedhore.
/Sot News/