Kreu i SPAK, Klodian Braho, është thirrur më 3 mars në një takim në Bruksel për të diskutuar çështjet e drejtësisë dhe antikorrupsionit në vendin tonë.

Në axhendën e miratuar të martën pasdite nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare thuhet se takimi i 7-të i Komitetit të Drejtësisë dhe Sigurisë do të përqendrohet në reformat kritike të integrimit, konkretisht në sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit, sundimin e ligjit, si dhe veprimet konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në materialin paraprak theksohet gjithashtu se Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet e saj për të forcuar zbatimin e ligjit, përafrimin e politikave të vizave dhe menaxhimin e migracionit të paligjshëm.

Rezultate operacionale kërkohen gjithashtu në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës, veçanërisht kundër kultivimit të kanabisit, si dhe për të parandaluar pastrimin e parave. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, pritet të jetë gjithashtu i pranishëm në këtë takim.

Ky takim shihet si një provë testuese për rezultatet konkrete që zyrtarët shqiptarë do të paraqesin përpara se shtetet anëtare të BE-së të vendosin nëse do t’i japin dritën jeshile raportit paraprak IBAR për Shqipërinë, që ka të bëjë me zbatimin e kritereve të kapitujve 23-24, të cilët përfshijnë pavarësinë e gjyqësorit, një raport pa miratimin e të cilit nuk nis procesi i mbylljes së grupkapitujve të negociatave të pranimit.

Sipas zyrtarëve evropianë, roli i SPAK-ut dhe GJKKO-së, si dhe pavarësia e tyre në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar, është një gur themeli i reformës në drejtësi të vitit 2016.

BE-ja mbështet dhe promovon konsolidimin e vazhdueshëm të kësaj reforme si një pjesë integrale e negociatave të pranimit të Shqipërisë. SPAK ka kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të siguruar një historik të besueshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përfshirjen e zyrtarëve politikë të nivelit të lartë në këto akte. Gjithashtu kërkohet të rritet efektiviteti i verifikimit të deklaratave të pasurisë, të paraqitura periodikisht nga zyrtarët shtetërorë.

Komisioni Evropian gjithashtu kujton nevojën për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO-s. Komisioni Evropian inkurajon krijimin sa më shpejt të jetë e mundur të një Observatori Kombëtar të Drogave, i cili duhet të jetë plotësisht funksional dhe i pajisur me burime të mjaftueshme financiare.