Në Arapaj është thuajse e pamundur të gjesh të rinj, Fshati që ndodhet vetëm pak km larg plazhit të Durrësit dhe qendrës së qytetit popullohet kryesisht nga mosha e mesme dhe e tretë.

Madje edhe disa nga këta të fundit po e mendojnë largimin, sepse jetesa krahasuar me disa vite më parë është bërë më e vështirë.

“Fëmijët kanë ikur jashtë shtetit. Çfarë do bëjnë këtu pa perspektivë. Edhe ne që jemi në moshë të thyer po mendojmë të ikim se nuk jetohet dot. Me 100 mijë lekë pension nuk jetohet. Në fillim ka qenë shumë mirë, tani është bërë shumë keq.”

“Fëmijët kanë ikur në Gjermani, këtu ka mbetur vetëm mosha jonë dhe disa të rinj që nuk kanë pasur mundësi të ikin.”

“Ne na merr malli për fëmijët. Të moshuarit kanë mbetur si jetimë!”,- thonë disa prej banorëve për “DurrësLajm”.

Biznese me qepena të ulur dhe shtëpitë që kanë dalë në shitje ndeshen ngado në fshat. Biznesi i vogël e ka sfidë mbijetesën, sepse konsumi ka rënë ndjeshëm, si pasojë e reduktimit të popullsisë.

Banorët u vendosën shumë vite më parë nga treva të ndryshme të vendit për një jetesë më të mirë, por tani të ardhmen e shohin të projektuar në vendet e BE-së.