Gjendja e vështirë ekonomike e shumë familjeve i detyron prindërit të nxjerrin në punë edhe fëmijët. Shumë prej tyre kanë ndërprerë studimet në arsimin e detyruar, ndërsa jo pak nga ky kontigjent ndihmojnë familjen, pasi përfundojnë mësimet. Mjafton një vëzhgim në rrugët kryesore, sheshet, lulishtet apo edhe parqet e qytetit të Durrësit për të mësuar se sa shumë fëmijë shesin sende të ndryshme për të ndihmuar familjen.

Jo pak prej tyre, të detyruar nga varfëria dhe pamundësia e familjeve për sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme për rritjen dhe shkollin e tyre e kanë lënë shkollën në pamundësi për të kryer së paku arsimin 9-vjeçar, ndërsa të tjerë krahas shkollës bëjnë edhe punë të ndryshme. Shkak për të dy rastet është bërë pamundësia për të mbijetuar dhe garantuar të ardhura të qëndrueshme.

Gjatë sezonit të verës, në muajt qershor-gusht në bregdet është më se e dukshme prania e dhjetëra fëmijëve të shoqëruar apo jo nga të rritur që shesin sende të ndryshme për pushues e turistë, në përpjekje për të siguruar sado pak të ardhura për familjen. Në sajë të përvojës së fituar nga “aktiviteti tregtar” apo edhe këshillimeve nga të rriturit fëmijët zënë pika kyçe duke u ofruar blerësve çfarë të munden. Të tjerë bëjnë furnizimin dhe mallin e fusin në çanta, xhepa të ndryshëm, apo edhe e varin në qafë duke bërë rrugë shëtitëse sa poshtë, lart.

Përgjithësisht fëmijët e kësaj kategorie kanë vendosur të braktisin shkollën dhe emri i tyre rezulton formalisht në regjistra, por ka edhe të tjerë që  ndjekim rregullisht shkollën dhe kanë rezultate të mira. Fëmijë të familjeve me ngjyrë janë kontigjenti më i madh i të pashkolluarve që dalin në rrugë, ndërkohë që shumë adoleshentë e minorenë të tjerë, kryesisht të familjeve të ardhura gjatë viteve të fundit në Durrës i shtohen numrit të nxënësve që braktisin shkollën dhe detyrohen të mbajnë familjen me punën e tyre.

Në dallim nga bashkëmoshatarët, të cilët kërkojnë lëmoshë, fëmijët tregtarë shkojnë lokal më lokal e rrugë më rrugë për të bindur qytetarët se malli që ofrojnë është cilësor dhe me leverdi për t’u blerë. Ky është veprim i përditshëm dhe i përhershëm. Ka nga ata fëmijë që punën e nisin me të rriturit, me të zbardhur dita. Shkojnë për furnizim, mbushin çantat, i varin në qafë dhe kështu nis dita e punës në të gdhirë deri në të errur. Në kohë të mirë apo të keqe ata janë të detyruar t’i bien kryq e tërthor zonës që mbulojnë derisa të gjejnë një blerës të gatshëm të paguajë mallrat që ata tregtojnë.

Të tjerë fëmijë mbarojnë njëherë shkollën dhe e mbajnë vrapin për në shtëpi. Atje prindërit u kanë bërë gati mallin për treg dhe kujdesen për vendin e tregtimit. Përgjithësisht shesin banane, varëse të ndryshme, pajisje kancelarie, parfume, materiale artizanale, bajame, cigare, fara luledielli, misra, kikirikë, ora dhe shumë artikuj të tjerë. Kontigjenti që detyrohet të dalë në rrugë për të fituar janë fëmijë me prindër të papunë. Por ka edhe të tjerë që përballen me krizën familjare, pasojë e konflikteve të ndryshme. Përgjithësisht janë të vegjël që kanë vendosur të braktisin shkollën të ndikuar edhe nga familja apo rrethi familjar.

Këta kanë jo pak ndikim në formimin e personalitetit dhe këndvështrimit për të ardhmen e të vegjëlve, ndërsa keqpërdorja e fëmijëve në jo pak raste është më se e dukshme. Fëmijët kanë krijuar zonat e influencës duke u marrë vesh me konkurentët. Përgjithësisht mosha e të vegjëlve që kanë braktisur shkollën vërtitet tek 8-10 vjeç, moshë që përkon me arsimin e detyruar shkollor.

Në mesin e tyre ka edhe më të rritur siç vihen re fëmijët që  dalin në treg për të ndihmuar prindërit e tyre në tezgat e improvizuara, me mendimin se po ndihmojnë familjen dhe të afërmit, por duke iu përkushtuar edhe shkollës. Ajo që vihet re në rrugët e qytetit të Durrësit, lokalet, lulishtet apo shëtitoret është numri gjithnjë e më i madh i të vegjëlve që detyrohen që në moshë të njomë të vetpunësohen dhe të marrin mbi supe një përgjegjësi jo të vogël, atë të sigurimit të të ardhurave për familjen.

Shumë prej tyre nuk i njohin lojrat dhe argëtimet e tjera të bashkëmoshatarëve të tyre. Të burrëruar para kohe ata kanë nisur të zhvillojnë aftësitë e tregtarit duke këmbëngulur në cilësinë e mallit që tregtojnë, për të mos u larguar duarbosh nga blerësi i mundshëm. Drejtoria arsimore e Durrësit i shmanget vazhdimisht bërjes publike të statistikave të fëmijëve që kanë braktisur shkollën. Janë disa arsye që e shtyjnë këtë institucion të bëjë një veprim të tillë.

Fakti që MASH ka deklaruar uljen e ndjeshme të numrit të fëmijëve që braktisin shkollën në arsimin e detyruar ka vënë në pozitë të vështirë institucionet vartëse të kësaj ministrie. Nga ana tjetër luhet shumë me shifrat edhe në drejtim të kuadrit mësimor. Drejtorët e shkollave bëjnë raportime fiktive të statistikave duke e justifikuar këtë veprim me faktin se në këtë mënyrë ruajnë stafin pedagogjik, në të kundërt u shkurtohen organikat.

Analfabetizmi

Anafalbetizmi është fenomen që ka preokupuar realitetin shqiptar pas viteve 1990. Një numër jo i vogël fëmijësh braktisën shkollën për arsye të shumta, mes tyre edhe ato ekonomike. Kjo i nxiti specialistët të kërkojnë mundësi të reja në përshtatje me realitetin për të zbutur shifrat problematike të braktisjes së shkollës nga kontigjenti i nxënësve që ndjekin arsimin e detyruar.

Prej disa vitesh në të gjithë Shqipërinë është financuar programi “Shansi i dytë”. Bëhet fjalë për fëmijë që kanë braktisur arsimin e detyruar dhe që nuk janë rikthyer më edhe pas këmbënguljeve të vazhdueshme të institucioneve arsimore. Në të tilla kushte u pa e udhës që një kontigjent mësuesish të jepnin mësim në kushte të reja. Programi detyron mësuesin shëtitës të shkojë shtëpi më shtëpi dhe të japë mësim për këtë kategori duke u dhënë atyre njohuritë më kryesore të lëndëve të ndryshme.

Qeveria për të zbutur shifrat aspak pozitive të braktisjes së shkollës nga fëmijët, ka gjetur një mundësi të tillë për të çertifikuar si të arsimuar edhe këtë kontigjent problematik. Një pjesë e mirë e kësaj kategorie fëmijësh është bërë shqetësim edhe për policinë, pasi jo pak prej tyre janë përfshirë në vjedhje dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Durrësi ka një numër të lartë fëmijësh që kanë braktisur shkollën. Këtë shifër e bën problematike fakti se në këtë qytet jeton edhe një komunitet rom me interesa të pakta për t’u arsimuar.

Graciano Peqini

Jam 9 vjeç dhe vazhdoj shkollën tek “Bedrie Bebeziqi”. Babi im punon në ndërmarrjen komunale të bashkisë së Durrësit, kurse mami është pa punë. Jemi katër fëmijë dhe unë jam më i rrituri. Shkolla më pëlqen dhe prindërit nuk më ndalojnë të shkoj në shkollë dhe të mësoj. Po koha nuk më del. Sa mbaroj mësimin shkoj në shtëpi, marr atje kaushët me kikirikë dhe dal tek lulishtja. Këtë punë bëj nga dreka deri në darkë. Disa ditë e mbyll më shpejt se i mbaroj kikirikët, ditë të tjera më vonë. Unë dua të shes edhe gjëra të tjera po prindërit nuk më lejojnë. Më thonë se janë mjaft kikirikët. Lekët i dërgoj në shtëpi të gjitha dhe nuk shpenzoj asnjë lek për veten time. Marr 2000 lekë në natë po nuk e di se sa lekë janë fitim dhe sa nuk janë.

Roberti nga Kulla

Dal shumë herët nga shtëpia. Unë jetoj në Kullë, afër Kthesës së Ariut. Babi e mami im nuk punojnë. Ata thonë se nuk kanë gjetur punë. Vijmë në Durrës me autobusin e mëngjesit, që niset nga Hamallaj për në Durrës bashkë më mamin dhe më shumë rrimë këtu tek pallati i sportit. Shesim sende të ndryshme, përgjithësisht parfume, lapsa, kremra, manikyr për gra e vajza. Furnizimin e bën mami, kurse unë shes. E kam lënë shkollën në klasën e dytë. Prindërit na thanë se duhet të gjejmë punë për t’u ushqyer. Jemi shtatë fëmijë. Kemi gjetur këtë vend se ka shumë lëvizje. Shesim dhe fitojmë pak lekë. Në një ditë fitojmë 500 lekë. Nuk e di nëse do të vazhdoj shkollën. Lexoj shumë, shkollën e kam lënë para disa vitesh dhe tani i kam harruar mësimet. Nuk është se nuk dua të shkoj në shkollë, po mami më thotë se duhet të ushqehemi. 

Enisi nga Durrësi

Ndihmoj gjyshin. Dal pasdite, sa mbaroj mësimet. Jam në klasën e gjashtë tek shkolla “Marie Kaçulini”. Këtu punon gjyshi, babi i mamit tim. Shet peshqirë. I kam mësuar çmimet dhe të gjitha gjërat që më duhet për të biseduar me blerësit. Gjyshi më thotë se jam i zoti, pasi unë shes peshqirë. Ai në fillim nuk kishte shumë besim, tani ma ka lënë të gjithë mallin. Unë shkoj vet tek shtëpia, e mbush karrocën dhe vi këtu tek tregu. Mësimet i bëj kur mbyllim pazarin. Ndodh që jam i lodhur, pasi më shumë rri në këmbë sesa ulur. Por gjyshi më shpërblen. Gjatë verës punoj gjithë ditën, kurse tani pasi mbaroj mësimet. Gjyshi më jep vazhdimisht lekë dhe unë ua jap prindërve. Dua të ndihmoj familjen, pasi e shoh se kemi shumë vështirësi. Nga shkolla jonë shumë nxënës nuk vazhdojnë shkollën. E kanë lënë. Një pjesë dalin për të shitur. I takoj rrugës. Vijnë këndej dhe ne bisedojmë. Unë u them të vijnë në shkollë, po ata tundin kokën dhe ikin. Tani unë njoh shumë fëmijë që shesin. Kam shokë të mi që bëjnë si unë. Gjyshi mua më dha lekët dhe bleva rrobat dhe librat. Unë e ndihmoj gjyshin, po edhe ai më ndihmon mua dhe shtëpinë time. Mami dhe gjyshi më kanë thënë se të punosh është shumë mirë. Mua më pëlqen t’i fitoj vetë lekët.