Vendimin e opozitës, për të mos hyrë në zgjedhje, kryeministri Rama e ka cilësuar si shkatërrim dhe se ka bërë hapa mbrapsht. Ai tha që opozita në vend që të luftojë me program dhe ide, ka zgjedhur të luftojë rrugëve më kërcënime dhe kapsolla. Pavarësisht kësaj, Edi Rama këmbëngul se zgjedhjet e 30 qershorit do bëhen.

“Opozita  ka privuar një rrugë të vetëshkatërrimit. Aty ku opozita ka zgjedhur të braktisë zgjedhjet, ka marrë mbrapsht, një periudhë të gjatë rrënimi dhe vështirësish të jashtëzakonshme për rindërtim. Në vend që të luftojë me program dhe ide, ka zgjedhur të luftojë më kërcënime dhe kapsolla. Në vend që të t’i përfaqësojë zgjedhësit e vet në këtë sallë, ka vendosur që t’i nxjerrë edhe ata nga rruga e betejës demokratike dhe në vend që t’i udhëheq në rrugën e demokracisë, po i përdor ata si mish për top, duke u fshehur pas tyre. Kjo është e rëndë dhe e papranueshme nga askush. Edhe ne nuk kemi ndonjë zgjedhje tjetër, përveç se të vijojmë rrugën tonë, pa u ndalur që të merremi me ata, pa u devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësish rreziqeve të procesit, ku dy parti politike dhe disa kryetar pa parti, përbetohen se do rrëzojnë të drejtën e shqiptarëve për të votuar”, tha Rama.