Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Open, foli rreth masave që duhet të rishikohen me rënien e kurbës së infektimeve në vend.
Anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se mendimi i tij ishte që të hiqej maska në ambiente të hapura.
Brataj gjithashtu tha se edhe ora policore do të zgjatet, por nuk mund të hiqet krejtësisht.
“Pandemia po mbaron, por nuk varet vetëm nga Shqipëria. Përfundim nuk mund të them, por përmirësim po. Masat do të hapen, por fatkeqësisht njerëzit pasi janë lodhur nga masat do fillojnë të neglizhojnë shumë gjëra. Nuk e kemi mundur ende Covid-in. në 3-4 javë mund të bëhet një shpërndarje aq e madhe saqë të hap probleme. Nesër do të flasë Komiteti Teknik dhe padiskutim që do të lirohen masat, jo të gjitha pasi do të jetë çmenduri. Unë do të filloja me maskën në ambientet e jashtme, të hiqet se dhe temperatura bën të vetën, vaksinimi. Përsa i përket orës policore jam i mendimit që të zgjatet, por jo të hiqet fare”,- tha Brataj.





