Policia italiane ekzekutoi sot operacionin e koduar "Braveheart", që çoi në shkatërrimin e dy grupeve kriminale të përbërë nga shqiptarë e italianë. Me urdhër të Prokurorisë së Milanos u lëshuan 11 urdhra arresti ndaj 9 shqiptarëve e 2 italianëve, mes të cilëve 3 janë shpallur në kërkim.

Hetimet e këtij operacioni kanë nisur Në fund të vitit 2015 dhe gjatë "Braveheart" u sekuestruan rreth 40 kg kokainë mjaft e pastër me vlerë të paktën 4 milionë euro. Kokaina e prodhuar në Amerikën e Jugut blihej në Amsterdam e transportohej me automjete e kamione drejt Italisë.

Trafikantët e arrestuar jetonin në rrethinat e qyteteve të Milanos, Bergamos e Breshias. Për të komunikuar mes tyre dhe organizuar trafikimin e kokainës, ata përdonin skeda telefoni me një përdorim, e fjalë të kriptuara me 10 gërma pas të cilëve vinte gjithmonë një numër. Sot gjatë ekzekutimit të urdhër arrestimeve janë sekuestruar dhe 13 kg hashash e 2 kg kokainë.