Brazil, 14 korrik 2014 – Një Botëror mbahet mend për spektaklin e fushës por dhe për rekordet që thyhen dhe në kompeticionin e organizuar në Brazil u rrëzuan jo pak të tillë, pikësëpari ai i më i rëndësishmi për europianët, thyerja e mitit amerikano-jugor, me Gjermaninë që u bë vendi i parë nga kontinenti i vjetër që triumfoi në shtëpinë e latinëve aq sa Europa zgjat tani kryesimin e përgjithshëm të trofeve në 11-9. Nuk u thye dot rekordi i golave të shënuar në një kompeticion të vetëm, por gjithsesi u barazua ai i Francë 98 me 171 realizime dhe 2.67 gola për ndeshje, që janë pasqyrim i lojës së bukur që dhuroi kompeticioni që sapo u mbyll. Gjithsesi të tjerë rekorde golash ranë në Brazil, pasi në gjysmëfinalen me Selesaon, Klose me golin e dytë gjerman u bë shënuesi më i madh i të gjitha kohërave duke parakaluar dhe brazilianin Ronaldo. Por në atë ndeshje ranë disa rekorde në seri siç ishte ai i gjysmëfinales së parë ku u regjistrua një rezultat 7-1, duke thyer rekordin që mbahej nga Uruguai dhe Argjentina në 1930, ndërsa u barazua dhe rekordi për humbjen më të thellë të Brazilit, e cila ishte regjistruar në 1920, 0-6 me Uruguain.
Gjithashtu Brazili për herë të parë e mbylli kompeticionin me 14 gola të pësuar brenda një turneu të vetëm, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Por një tjetër statistikë u rrëzua dhe në gjysmëfinalen mes Holandës dhe Argjentinës, që u bë e para, e cila përfundoi me rezultat të bardhë 0-0, ashtu siç dhe nisi ndërsa Holanda u bë e para skuadër në këtë kompeticion që në një gjysmëfinale nuk arriti të godasë asnjëherë brenda 120 minutave në kuadrat. Dhe meqënëse jemi te portokallinjtë, Van Gal u bë i pari trajner që zëvendësoi portierin për të pritur 11-metërshat siç ndodhi para ekzekutimit të penalltiveve para Kosta Rikës. Ishte sigurisht Botërori i golave por gjithashtu dhe i shtesës pasi si asnjëherë më parë tetë ndeshje kishin nevojë për kohën shtesë ose penalltitë për të përcaktuar fituesin. Dy skuadra për herë të parë e mbyllën turneun pa humbje, Holanda dhe Kosta Rika, të dyja u eleminua nga penalltitë, Kosta Rika nga formacioni i Van Gal, ndërsa vetë Holanda nga Argjentina. Një rekord vendosi gjithashtu dhe Faryd Mondragon që me aktivizimin e tij në ndeshjen me Japoninë u bë futbollisti më i vjetër që ka luajtur ndonjëherë në Kupën e Botës duke qënë 43 vjeç e 3 ditë dhe në fund e mbyllim me rekordin më domethënës atë të publikut. Brazil 2014 mesatarisht kishte 53 mijë e 592 shikues në stadium për ndeshje pothuajse 1 mijë më shumë se në Gjermani 2006 që mbante rekordin e mëparshëm.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





