Brazil, 23 maj 2014 – Nuk do të ketë ndryshime në orare dhe as pushime freskuese për lojtarët në ndeshjet e Botërorit, që do të luhen në temperaturat e larta të Brazilit. Eshtë ky verdikti i palëkundur i FIFA-s, edhe pse unioni i lojtarëve po tenton me mjete ligjore të spostojë takimet që luhen në 13:00 sipas orës lokale. Nga Fenapaf pretendohet se futbollistët janë të rrezikuar, nëse luajnë në pikun e motit të nxehtë. Ndërkohë janë propozuar edhe pushime të shkurtra 2 minutëshe, në mënyrë që lojtarët të kenë mundësi të freskohen gjatë ndeshjeve, por të gjitha këto propozime janë hedhur poshtë nga qeveria botërore e futbollit.
“Në çdo ndeshje të çdo kompeticioni, ekipi mjekësor i FIFA-s është i pranishëm për të monitoruar dhe mbrojtur shëndetin e lojtarëve. Pushimet freskuese nuk do të jenë të detyrueshme për të gjitha sfidat e Botërorit, por për to do të vendoset sipas nevojave të çdo takimi. Në lidhje me orarin, është analizuar historiku i klimës për çdo qytet. Kështu në Manaus, Cuiba dhe Fortaleza nuk do të ketë asnjë takim që luhet në orën 13:00”.
Ishte kjo komunikata zyrtare e FIFA-s, që i përgjigjet direkt shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga ana e Unionit të Lojtarëve në Brazil.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





