Brazil, 12 qershor 2014 – Nis në mënyrën më pak të dëshiruar aventura Brazil 2014 pasi qindra protestues zbritën në qendër të qytetit Sao Paulo duke shkaktuar trazira pas përplasjes me policinë. Pak orë përpara startit zyrtar të evenimentit pikërisht në këtë qytet me ndeshjen Brazil-Kroaci, manifestuesit kanë hedhur mjete të forta në drejtim të forcave të rendit, e cila ka reaguar me gaz lotësjellës, por gjatë përleshjeve ka mbetur e plagosur edhe një gazetare e kanalit amerikan CNN.

Kjo është vetëm një prej shumë lëvizjeve të organizuara deri tani nga shoqatat e ndryshme dhe njerëzit e shtresave të ulëta që kundërshtojnë investimet marramendëse për organizimin e këtij evenimenti. Sipas informacioneve, në krye të protestuesve qëndrojnë grupet e majta braziliane që mesa duket janë ribashkuar për të shkaktuar trazira në të gjitha qytetet braziliane ashtu siç ndodhi edhe në Kupën e Konfederatave. Grupi i përbërë nga rreth 200 persona e nisi protestën në arterien kryesore të qytetit, Radial Este, e cila të çon në stadiumin “Itaqerao” ku sonte në orën 22:00 do të startojë takimi mes Brazilit dhe Kroacisë. Sipas informacioneve zyrtare, si pasojë e kundërpërgjigjes se policisë, disa persona janë plagosur, ndërsa të tjerë u shoqëruan në polici.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/