Brazil 8 korrik 2014 – Kupa e Botës, në momentin e saj më kulminant. Në Estadio Mineirao të Belo Horizontes, Brazili dhe Gjermania dy skuadrat që përfaqësojnë ajkën e futbollit botëror me 8 tituj të fituar së bashku zbresin në fushë për t’u dhuruar të apasionuarve emocione të papërsëritshme që do të mbeten gjatë në kujtesë. Një duel titanësh për një qëllim madhor, kualifikimin në finalen e madhe të Marakanas, një ëndërr që do të bëhet realitet vetëm nga njëra nga protagonistet në fushën e blertë. Në tokën e Sambas, aty ku ky Botëror po përjetohet në maksimumin e adrenalinës të gjithë vajtojnë dëmtimin e Neymar, sulmuesit që e inspiroi Brazilin deri në këtë fazë të turneut, por që fatkeqësisht bashkë me Tiago Silvën thjesht mund të japin mbështetjen e tyre morale që Selecao të bëjë mrekullinë. Për Luiz Felipe Skolarin asgjë nuk është si më parë. Ne fazën mbrojtëse Felipao nuk mund të mbështetet të mbrojtësi I Paris Saint Germanin, duke qenë I detyruar të hedhë në fushë Danten, ndërsa në mungesë të Neymar ka balotazh mes Willian, Oskar dhe Hernanez. Futbollisti I Chelsea mbetet zgjedhja e parë taktike për Scolarin, megjithatë gjithçka varet nga forma e tij fizike, duke patur parasysh dëmtimin që pësoi gjatë një seance stërvitore në fundjavë. Ndryshe nga Scolari Joacim Low e ka të plotë grupin, duke përjashtuar në këtë rast mungesën e Shkodran Mustafit që i tha lamtumirën Botërorit gjatë përballjes së 1/8 me Algjerinë. Drejt rikuperimit të plotë është edhe Per Mertesaker gjendja gripale e të cilit infektoi edhe 6 lojtarë të tjerë të Die Manchaft.
Historia e Kupës së Botës ka regjistruar vetëm një përplasje mes Brazilit dhe Gjermanisë dhe kjo ka ndodhur vetëm 12 vjet me parë në finalen e turneut që u zhvillua në e Korenë e Jugut dhe Japoni, sfidë që u vendos nga një dygolësh i Ronaldos.
Nga protagonistët e finales së Jokohamas ka vetëm dy të mbijetuar, një për çdo skuadër. Nga njëra anë qëndron Luis Felipe Skolari arkitekti i Botërorit të fundit të fituar nga Brazili, përballë tij është Miroslav Klose, që edhe pse nuk e ka madhështinë e Ronaldos, ka barazuar rekordin e Fenomenit me 15 finalizime në Kupën e Botës. Joacim Low, I cili do ta drejtojë Gjermaninë për herë të tretë në gjysmëfinale të Kupës së Botës vështirë se mund t’I besojë vendin e titullarit sulmuesit veteran megjithatë Klose do të jetë aty, gati për të hyrë në histori si golashënuesi më i mirë në mënyrë absolute. Belo Horizonte do të jetë për një natë kryeqendra e futbollit, me miliarda njerëz në të gjithë rruzullin do të mbajnë frymën për të mësuar emrin e finalistit të parë të Brazil 2014.





