30 shtator 2015 – Gabriel Murta, me profesion polic por me pasion arbitrimin e ndeshjeve të futbollit, përfundoi te psikologu pasi nxori pistoletën në fushë gjatë një ndeshjeje amatorësh.
Në Brazil, ndeshja ndërmjet Amantes da Bola dhe Brumadinho-s, rrezikoi të mbyllej me një epilog tragjik, pikërisht prej vendimit të gjyqtarit. Bilbili kryesor reagoi duke nxjerrë pistoletën, për të larguar lojtarët që po protestonin për një vendim të diskutueshëm. Ekipi mik pretendonte se njëri prej lojtarëve kundërshtarë duhej të ndëshkohej me karton të kuq. Njëri prej futbollistëve nisi agresionin verbal dhe fizik ndaj arbitrit, që duke u ndjerë i kërcënuar shfaqi armën.
Vetëm ndërhyrja e njërit prej asistentëve të gjyqtarit evitoi që situata të përkeqësohej. Ngjarja e pazakontë ndodhi në kampionatin rajonal të Metropolitit të Belo Horizontes, në kuadër të Ligës së Futbollit Amator të Brumadinho-s.
/portali DurresLajm/