Dorival Junior është trajneri i ri i ekipit kombëtar të Brazilit dhe ai u zotua të kthejë fatin e skuadrës pas një serie rezultatesh të dobëta në kualifikimet e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2026.

Ish-trajneri i Sao Paulos nënshkroi një kontratë deri në dhjetor 2026 dhe merr drejtimin pas shkarkimit të Fernando Diniz.

“Sot jam këtu duke përfaqësuar ekipin më fitues në planet, atë që frymëzon shumë në mbarë botën. Dhe ai ka detyrimin të fitojë përsëri. Momenti ynë është i vështirë. Por asgjë nuk është e pamundur, do të kthehemi shpejt,” tha Dorival në një konferencë shtypi.

Pesë herë kampionët e botës kanë kaluar një periudhë të trazuar që kur u eliminuan nga Kupa e Botës 2022 në çerekfinale.

Seleçao u mposhtën me penallti nga Kroacia, që çoi në largimin e trajnerit Tite.

Brazili u drejtua më pas nga trajneri i U-20, Ramon Menezes përpara emërimit të përkohshëm të Diniz vitin e kaluar.

Ata kanë humbur tre nga gjashtë ndeshjet e tyre kualifikuese deri më sot, duke fituar vetëm dy ndeshje dhe janë në vendin e gjashtët në renditje, 8 pikë larg Argjentinës kryesuese.

“Nuk ka njeri për të fajësuar. Nuk ka ndërhyrje, nuk ka asgjë të tillë. Ajo që na duhet tani e tutje është të kërkojmë zgjidhje.

Ne duhet të ofrojmë një ekip kombëtar të besueshëm, një ekip që na jep të gjithëve besueshmëri. Futbolli brazilian është shumë i fortë, ai rishpik veten. Nuk mund të kalojë momentin që po kalon. Le të shërbejë si një mësim që të mund të gjejmë një rrugë të re përpara”, tha 61-vjeçari.

Dorival doli si kandidati kryesor për këtë post pasi trajneri italian Carlo Ancelotti zgjati kontratën e tij me Real Madridin pas negociatave të dështuara për të menaxhuar Brazilin.