Kualifikueset e “Euro 2020” luajtën xhiron e parë të ndeshjeve, ndërkohë që rasti i Junior Moraes, sulmuesit brazilian të Shakhtarit, mund ta penalizojë Ukrainën. Kjo e fundit e ka bërë të vetin futbollistin në fjalë, por rrezikon ta humbasë ndeshjen në tavolinë.
Sipas gazetës “Record”, Luksemburgu do të ankohet në UEFA, duke pretenduar parregullsi në natyralizimin e lojtarit në fjalë me kombëtaren ukrainase.
Paul Philipp, president i Federatës së Futbollit të Luksemburgut, është i bindur se rasti i Junior Moraes nuk është në përputhje me kërkesat e FIFA-s, që lejojnë natyralizimin e një lojtari, vetëm pasi ai ka jetuar 5 vite në vendin përkatës.
Më konkretisht, braziliani ka jetuar në Ukrainë për 4 vite e 8 muaj, sepse në vitin 2017 ka qenë në Tianjin të Kinës për 6 muaj. Pikërisht kjo gjë e bën të parregullt natyralizimin dhe aktivizimin me Ukrainën.
Për pasojë, Luksemburgu kërkon nga UEFA fitore në tavolinë.Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i federatës ukrainase, Yuri Zapisotsky, është i qetë: “Sipas ligjit ukrainas, ai ka jetuar për pesë vite në vendin tonë, aq sa nevojitet t’i jepet shtetësia”.





