Bregdeti shqiptar, ose Golem për fukarenjtë, ose Bllok për të pasurit
Nga Mentor Kikia
Golemi dhe bregdeti i Durrësit në tërësi është shembulli më tipik i shkatërrimit duke ndërtuar. Ai nuk rregullohet më, pasi është prishur rregullsia e parë urbane. U bënë pallatet para rrugëve dhe kanalizimeve. Tashmë ai është laboratori ku studentët e arkitekturës nga e gjithë bota të vijnë të mësojnë se si nuk duhet ndërtuar një qytet. Është shembulli më tipik në botë se si degradon një vend kur qeveriset nga hajdutë dhe maskarenj. Tashmë Golemi dhe të tjera zona që janë ndërtuar sipas atij modeli, janë zonat turistike të njerëzve më të varfër të Europës që mund të vijnë të pushojnë në Shqipëri.
Por, veç golemizimit ka edhe një fenomen tjetër në Shqipëri, ky është Bllokizmi. Këtu nuk ndërtohet rrumpallë dhe për fukarenjtë, por ndërtohet në luks dhe për të pasurit. Ndërtohen vila, mes pishave dhe me pamje të qartë nga deti. Me vetrata që të shijohet mjedisi në çdo sekondë. Ja, p.sh.:, në zonën mes Gjirit të Lalëzit dhe Hamallajt, po ndërtohet një lagje e re pasanikësh. Vila, mu në breg të detit. Vetëm 5% e popullsisë ka mundësi të bjelë këtu. Edhe atje në Palasë, në perlën e paprekur deri tani, vila për shtresën e milionerëve (në euro). Bllokizmi detar nisi me fshatra të tipit Laguna Blu, por ajo është demode tani. Bllokmenët e rinj duan vila në qytet, vila në fshat, pranë qyteteve, dhe vila në bregdet. Nuk jam proletar që urrej të pasurit, edhe pse shumica paratë i kanë vënë duke na zhvatur neve. Por më dhëmb diçka tjetër.
Shkatërrimi i Shqipërisë. Zonat ende të paprekura nga Golemizimi, a nuk mund të vihen në shërbim të ndërtimit të resorteve të mëdha, për të pritur turizmin masiv dhe me komoditet normal? Përse u duhet vënë në dispozicion fshatrave turistike, që nuk i shërbejnë fare turizmit por vetëm egos dhe pangopshmërisë së oligarkisë politike dhe ekonomike të këtij vendi. Ata që vënë mure edhe brenda në det, që populli të mos ia prekë as rërën, as ujin e tyre.
Po turizmi o të babëzitur, o të pangopur, a do të bëhet në këtë vend?
Po ata që do të lindin në këtë vend pas nesh, ç’dreqin do të bëjnë këtu, keni pyetur ndonjëherë?
*Opinion nga Mentor Kikia, kryeredaktor i lajmeve në “Top Channel”





