TIRANE– Ministrja e Integrimit, njëherësh dhe koordinatore e fushatës elektorale të PD-së, iu ankua dje kryeministrit Sali Berisha për deputetët, të cilët sipas saj po e fusin në sherr me mediat. Shkak është bërë detyra që i është besuar znj.Bregu në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së për të koordinuar daljet në media të deputetëve demokratë. Por Bregu, në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, informoi z.Berisha se disa deputetë, kur janë kërkuar për intervista në televizione të ndryshme, janë shprehur se “nuk na lejon ministrja Bregu”. Sipas saj, kjo gjë e ka përplasur me drejtuesit e mediave, duke e lënë atë “fajtore”.
Nga ana e tij, kryeministri mësohet t’u ketë dhënë të drejtë deputetëve, duke i thënë znj.Bregu se “duhet një planifikim i atyre që do të shkojnë nëpër studio televizive”. Gjithashtu, burimet brenda grupit të PD-së bëjnë të ditur se z.Berisha i ka kujtuar ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, se “një ekonomist nuk mund të flasë për një çështje që nuk është kompetent”, ndaj ka kërkuar prej saj “që ndarja e deputetëve të bëhet sipas fushave që ata mbulojnë”.
Gjithashtu, në mbledhjen me dyer të mbyllura, kryeministri Berisha mësohet t’i ketë kërkuar z.Bregu, si koordinatore e fushatës elektorale të PD-së, që “të përgatisë në një material të zgjeruar me të gjitha arritjet e qeverisë sipas qarqeve, dokument të cilin, sapo të përgatitet, duhet t’ua shpërndajë deputetëve dhe krerëve të grupeve të punës të qarkut përkatës”. Ndërsa në pjesën e mbledhjes zyrtare, kryeministri Berisha informoi deputetët me gatishmërinë e qeverisë për të zhvilluar zgjedhje të lira më 23 qershor, ndërkohë që akuzoi kryesocialistin Edi Rama se po përgatitet të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. “Ne, – tha Berisha, – kemi të gjitha kushtet, infrastrukturën dhe vullnetin e hekurt për të zhvilluar zgjedhje te lira dhe të ndershme”. Por sipas tij, Rama po përgatit justifikimin e humbjes së radhës.
Berisha përmendi se “Rama, dy muaj më parë iu ra sirenave brenda dhe jashtë vendit, shkroi me dhjetëra letra në të katër anët, duke u thënë shqiptarëve dhe të huajve se ‘Berisha po më merr mandatin’, kërkoi Komision Hetimor parlamentar për projektin, të cilin e bllokoi në KQZ, kërkoi shkarkimin e z.Noka, mblodhi të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe pas dy muajsh, tani që e sheh se deputetin e Beratit mund ta marrë LSI-ja, (se nuk ka arsye tjetër; unë nuk e di kush e merr, as nuk mund të paragjykoj), tani i duhet të akuzojë përsëri, kthehet dhe thotë: ‘Të kthehemi tek varianti i parë’”. “Ai po përgatit post 23 qershorin.
Duhet ta dinë shqiptarët që edhe pollet e nxjerrin përtokë dhe janë polle të bëra nga krahu i tyre, jo i yni. Kjo është e vërtetë absolute. Për të dalë përpara rezultatit që do ta dinë shqiptarët, shpalli se do të marrë 72 deputetë dhe hoqi Dash Pezën dhe mori Alfred Pezën. Do të shkëputet nga Babë Myslymi, se ka marrë Lili Hoxhën. Pra, të gjitha këto janë një kaos i tij i vërtetë”, – tha Berisha