TIRANË – Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, do të marrë pjesë sot në Konferencën e 3-të të PPE (Partive Popullore Europiane) mbi Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij në BE, e cila mbahet në Bruksel.
Ministrja Bregu komentoi në rrjetin social “Facebook” se do të duhet të shpjegojë në Bruksel pse shqiptarët mbetën peng i opozitës, e cila sipas saj, ka bllokuar për të tretin vit radhazi statusin e vendit kandidat.
"Në mesazhin tim drejtuar pjesëmarrësve në takim do të shpreh qartë vullnetin e padiskutueshëm e 94 % të shqiptarëve për t'u integruar në BE, do të prezantoj edhe njëherë arritjet tona të pamohueshme në kuadër të këtij procesi dhe do të theksoj rëndësinë e Shqipërisë në rajon për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, – shkruan ministrja Bregu në ‘Facebook” .
Nga ana tjetër, thekson Bregu, “do më duhet të shpjegoj edhe njëherë përse shqiptarët po mbeten peng i opozitës. Përse opozita shqiptare del kundër vullnetit të qytetarëve të këtij vendi, duke bllokuar për të tretin vit radhazi statusin e vendit kandidat”.
Në këtë konferencë do të jenë të pranishëm Kryetari i PPE në Parlamentin Europian, Joseph Daul, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE, Elmar Brok, Kryetari i Delegacionit të PE për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan e përfaqësues të lartë të qeverive të Maqedonisë, Bosnjes, Kroacisë dhe Serbisë. .