TIRANE – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë takimit zv/kryeministren për çështjet europiane në Maqedoni, Teuta Arifi, deklaroi se shqiptarët kanë humbur nga 50 euro për person investime, për shkak të mos marrjes së statusit kandidat për në BE.
Ndërsa nga ana e saj zv/kryeministrja Harifi u shpreh se vendet tona duhet të punojnë për të unifikuar standardet e BE dhe të vazhdojnë drejt kësaj rruge.
“Unifikimi i standardeve ka për qëllim vendosjen e stabilitetit ekonomik dhe politik për vendet tona. Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyeshme dhe duhet të vazhdojnë kështu për të ardhmen e përbashkët në BE”, tha ajo.
Duke u ndalur tek procesi zgjedhor i 23 qershorit ministrja Bregu theksoi më tej se mënyra se si do zhvillohen zgjedhjet dhe moskontestimi i tyre ka shumë rëndësi për procesin në fjalë.
“Ndërkombëtarët kanë në vëmendje procesin e zgjedhjeve, se si do zhvillohen zgjedhjet. Duhet të mos ketë kthim në retorika bojkoti siç ndodhi në 2009 kur humbësi Rama nuk pranoi rezultatin. Partnerët europianë janë të interesuar që retorika e kontestimit të zgjedhjeve pa fakte të mos përsëritet”,- tha ajo.





