Transferimi i Dejvi Bregut te Teuta mund të cilësohet pa frikë si goditja më e rëndësishme e merkatos së verës në Superiore. Futbollisti vlonjat ishte në kërkim të një aventure të re, që mendohej se do të ishte jashtë Shqipërisë.

Por negociatat e tij në Poloni, që dukej si destinacioni më i mundshëm, kanë dështuar e ai ka kthyer sytë nga Superiorja duke provuar një tjetër ekip, pasi ka firmosur me Teutën që ka ambicie të mëdha në edicionin aktual.

“Mesa di unë ka pasur një ofertë konkrete nga Polonia, por nuk e di pse nuk u realizua. Negociatat janë bërë nga menaxherët e mi dhe unë nuk di shumë detaje”, tha ai.

“Dua të sqaroj se Teuta më bindi me projektin e saj dhe dëshirën për të synuar titullin kampion. Që në bisedat e para që pata me drejtuesit e klubit, u binda dhe mund të them se Teuta ishte zgjedhja ime e parë për Shqipërinë, ndaj kur nuk u arrit të transferohesha jashtë, firmosa për ta.Sporti ka ulje dhe ngritje, por tani jam mirë fizikisht dhe po stërvitem për të qenë gati për fillimin e sezonit. Shpresoj që të jap më të mirën dhe të ndihmoj Teutën me paraqitjet e mia, ashtu siç do të doja që e gjithë skuadra të ishte protagonistë këtë sezon”, deklaroi Bregu.