DURRËS, 10 tetor 2014 – Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka theksuar se procesi i integrimit është e vetmja "ombrellë" që i bashkon të gjithë dhe për këtë arsye, duhet që reformat për integrimin e vendit sipas saj të jenë konsensuale dhe të qëndrueshme. “E vetmja ombrellë që na mbledh të gjithëve bashkë është procesi i integrimit evropian. Për këtë arsye kërkohet që reformat të jenë konsensuale dhe të qëndrueshme. Ajo që na bashkon të gjithëve është procesi i integrimit, bashkëveprimi konsensusi, jo retorika. Axhenda e integrimit duhet të jetë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe konsensuale dhe jo duke qenë fasadë. Në Progres-Raport ka një fjali që unë besoj se do ta kishte bërë të ndihet shumë keq qeverinë. Fjalia fillon që në përgjithësi Kushtetua është respektuar. Një nga çështjet që ne kemi ngritur me forcë është mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nuk lë pa përmendur dhunën në parlament, nuk lë pa përmendur çështjen e prokurimeve publike”, ka thënë Bregu për mediat. Deputetja demokrate tha se opozita do të kthehet në Parlament vetëm nëse respektohet ligji dhe Kushtetuta. “Asnjeri nuk është i kënaqur që ne nuk jemi në parlament. Dhe asnjëri nuk ka dyshim që nëse duam vendin ideal për të bërë dialog në politike ky vend është parlamenti. As kemi kërkuar, as presim dhe as po lutemi që të ketë ndonjë shpikje në sjelljen e mazhorancës ndaj opozitës. Kemi dalë nga parlamenti jo sepse u munduam të sajonim një arsye, dolëm nga parlamenti kur filluan të cënoheshin elementët kryesore, zbatimi i kushtetues i ligjeve, mosrespektimi i institucioneve dhe moslënia e hapësirës për opozitën, për komisionet hetimore dhe pjesa e fjalë së lirë. Dhuna ishte një shkallare e të gjithë asaj që nisi në parlament, e cila kulmoi me dhunën ndaj deputetit Strazimiri”, deklaroi Bregu.
/Gazeta Sot/





