DURRËS, 2 tetor 2014  –   Kampion i Italisë dhe i botës.

I aftë të luajë si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë pa asnjë ndryshim. Protagonist i Interit të rekordeve të drejtuar nga Trapatoni, sikundër dhe me Gjermaninë të drejtuar nga Bekenbauer.

I paharrueshëm nga të gjithë tifozët, zikaltër dhe para së gjithash nga ata gjermanë – si dhe nga ata argjentinas – për 11-metërshin që në “Olimpiko” të Romës në vitin 1990, i dhuroi yllin e tretë Gjermanisë mbi fanellë.

Por sot, Andreas Brehme, një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të historisë së futbollit, po përjeton vërtet një moment delikat.

I zhytur në borxhe, që shkojnë rreth 250 mijë dollarë, po kërkon ndihmë edhe përmes njohjeve të tij në botën e futbollit për të shmangur të humbë edhe shtëpinë të cilën e ka vënë në hipotekë.

Bekenbauer ditë më parë bëri një apel për ta ndihmuar: “Kemi përgjegjësinë për ta shpëtuar nga kjo situatë, i ka dhënë shumë futbollit gjerman, duke i dhuruar titullin e kampionit të botës vendit tonë. Futbolli gjerman tani duhet ta falënderojë, duke e ndihmuar”.

Kërkesa është marrë nga Oliver Shtraube, një shok i vjetër skuadreje i Brehmes. “Jemi të gatshëm ta marrim Andreasin në ndërmarrjen tonë të pastrimit të banjave dhe sanitareve. Do ta kuptojë se çfarë do të thotë punë e vërtetë dhe jetë e vërtetë, – thekson Shtraube. – Do t’i shërbejë për të përmirësuar imazhin e tij. Kjo për mua do të thotë ndihmë”.

Tani, në pritje të procesit që e ka në dhjetor, topi i kalon Brehmes.

 /marrë nga gazeta Shqip/