“Brenda këtij muaji do të dorëzojmë në SPAk dosjen për bashkinë e Durrësit”.

Kështu ju përgjigj pyetjes së DurrësLajm, kreu i PD-së, Ferdinand Xhaferaj, ndërsa theksoi se ndërsa qytetarët vuajnë efektet negative të tërmetit dhe pandemisë Covid-19, “bashkia e Durrësit në vend që të merret me këto halle, shkon dhe vrapon atje ku janë tenderat”.

“Është dramë për këtë qytet që rruga e plazhit në këto 10 vite është shtruar dhe rishtruar 10 herë, bulevardi “Dyrrah” për të cilin keni shkruar dhe ju është shtruar dhe rishtruar 4 herë, shëtitorja që po shtrohet nga hotel “Arvi” tek “Aragosta” bëhet për të 4-tën herë. Të gjitha këto përbëjnë paketën tonë të argumentuar për shpërdorim detyre. Është një shpërdorim i pastër detyre. Rrugë që bëhen nga 4 herë vetëm e vetëm për të fituar tendera”,– tha Xhaferaj.

Kreu i PD Durrës nënvizoi se një dosje tjetër është dërguar muaj më parë në prokurori për ndotjen që i është bërë Shëtitores “Taulantia” nga mbetjet inerte të hedhura në det, por deri më tani asnjë reagim nuk ka pasur nga instutucioni i akuzës.

Nisja e punimeve në një pjesë të shëtitores “Taulantia” dy javë më parë nxiti reagimin e një sërë drejtuesish lokalë të PD-së, që përmes reagime në rrjete sociale akuzuan pushtetin vendor për investime të përsëritura në të njëjtat rrugë që rishtrohen disa herë brenda pak viteve dhe sërish tenderohen për t’u hapur e shtruar nga e para.  

M.B.