Një vend i rrezikshëm dhe shqetësim për banorët e rrugës “Prokop Meksi” në Durrës është prej vitesh një pallat shumëkatësh, i pabanuar dhe i dëmtuar rëndë nga tërmeti.
Katet e para të godinës janë kthyer në vend të frekuentuar nga persona që konsumojnë lëndë narkotike, madje edhe gjatë orëve të paradites, siç duket në këto pamje që “DurrësLajm” po transmeton.
Rreth e qark ka me dhjetëra shiringa të hedhura përtokë, si dhe mbeturina të lëna pas nga personat që e frekuentojnë këtë godinë të braktisur.
Ndërsa një kat më sipër, një apartament ku shenjat e tërmetit janë mjaft të qarta duket se banohet apo frekuentohet rregullisht nga një shtetase, që sjell aty klientët e saj.
Është i vetmi apartament që ka perde në hyrje të tij dhe në dritare.
Pisllëku mbizotëron kudo, ndërsa në shtrat ndodhet dhe një qenush i vogël, që nuk habitet kur na sheh.
Sende kozmetike janë të shpërndara në ambientet e apartamentit, po ashtu edhe veshje të ndryshme dhe ushqime.
Shtetasja që e frekuenton atë, nuk preferon të flasë për mediat, madje nis të largohet sapo konstaton praninë tonë aty.
Për banorët e zonës, shqetësimi që përbën kjo godinë e braktisur është mjaft i madh.
Pak metra larg godinës së braktisur është shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi”. Pavarësisht ndërhyrjes së herëpashershme të policisë, përdoruesit e dogës nuk janë larguar nga aty.
Ndërkohë bashkia nuk mund të ndërhyjë për të riparuar këtë pallat të dëmtuar nga tërmeti, pasi banorët që kanë blerë apartamentet janë në konflikt me ndërtuesin, i cili nuk i ka përfunduar të gjitha punimet e parashikuara për t’u bërë aty.
M.B.