Që prej 13-vjetësh, Flori është ҫdo të diel një prej miqve më besnikë e më të preferuar të ekranit.

 “Portokallia” është kthyer tashmë në shtëpinë e tij të dytë. Madje, edhe në shtëpinë e parë, kur gjen kohë, krijon për “Portokallinë” skenare e batuta për personazhet që luan javë pas jave. Megjithatë, që kur është bërë baba i dy fëmijëve, shtëpia është një zë që i thërret gjithmonë e më shumë, sepse aty e presin dy engjëj të vegjël, me të cilët dëshiron të kalojë kohë pa fund.

Në një profil ndryshe nga herët e tjera në programin “Pa filtër”, në T, Flori ka hapur derën e shtëpisë për të rrëfyer më shumë ҫfarë ka brenda mureve, jashtë skenës së “Portokallisë” dhe jashtë ekranit nga i cili e njeh i gjithë publiku. Ndërsa punon, aty rrotull dëgjon zërin e vogëlushes që i ngjitet si shall a si gjarpër. Krena, prej disa muajsh është motra e madhe, por ende e vogël për të kuptuar ҫ’ndodh me babin e saj, kur e sheh në televizor e kur në shtëpi. Ndërsa Flori shikon tek ajo veten kur ishte fëmijë: “Unë i vogël kam qenë fiks si Krena. Imitoja gjithҫka shikoja, isha energjik… nuk kisha turp, derisa më tërhiqnin vëmendjen, sepse ishte turp të ishe karagjoz… “ – tregon ai me të qeshur, edhe pse sot ndihet krenar kur sheh se edhe e vogla e tij ka filluar t’i tregojë që tani aftësitë prej artisteje.

Shtëpia, siҫ mund të vihet re lehtësisht, është gjithandej e mbushur me piktura e vizatime. Flori është frymëzuar nga ҫdo detaj i jetës së tij, që nga vitet në Lice, spektakli i humorit e deri sot kur vizaton portretet e fëmijëve. Por edhe bashkëshortja, Sadina, ashtu si ai, ka punët e saj në shtëpi: “Nuk e kemi mbushur akoma… kemi akoma punë”, – tregon Flori për këtë pjesë në shtëpi, duke theksuar se gjatë këtyre viteve janë fokusuar te dy fëmijët e vegjël.

Njohja me Sadinën, Miss Universe Albania 2007, i ka fillimet në Lice. Flori në vitin e fundit, ndërsa ajo në të parin: “Sa e pashë, thashë “uaaa, po kjo?” Pastaj, dëgjova një zë të brendshëm që më fliste “kjo është…”. Kështu u lidhëm dhe sot numërojmë bashkë po aq vite sa ka edhe “Portokallia”, pothuaj kemi nisur në të njëjtën kohë.

Po Sadina ҫfarë mendonte në atë kohë për Florin? Ai është i bindur se edhe asaj i fliste një zë i brendshëm, i cili i tregonte se zëri i tij ishte i bindur që “është ajo”, ndaj kështu duhet të ishte edhe për të…

Sot, ata ndajnë shumë kohë me fëmijët, edhe pse angazhimin maksimal dhe kryesor e ka Sadina. Flori tregon se net pa gjumë ka kaluar dhe kalon edhe ai, vetëm se ka fjetur prapë…  

Krena dhe Glauk janë ҫlodhja e tij më e madhe, e ҫdo dite pas punës, pas shfaqjes. Sa më shumë kohë të kalojë me ta, aq më i frymëzuar ndihet për të bëra gjëra të reja. Por nëse i sheh fëmijët në rrugën e tij, ndoshta është herët për të folur: “Unë kam qejf që Krena t’i provojë të gjitha zhanret, sportet, aktrimin, imitimin, notin, biҫikletën… Dua t’i provojmë bashkë sa më shpejt, sepse dua që të shijojë ҫdo gjë si fëmijë, siҫ kemi bërë edhe ne dikur, larg tekonologjisë dhe botës virtuale…”/revistaclass/