Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se katër persona janë vrarë dhe të paktën 92 të tjerë janë plagosur gjatë një breshërie sulmesh me raketa dhe dronë të kryer nga Rusia më 2 janar, përderisa ushtria ukrainase tha se madhësia e sulmit ishte e ngjashme me një sulm masiv të kryer nga Moska ditë më parë.
Mëngjesin e 2 janarit, kryeqyteti ukrainas, Kiev, u godit nga shpërthime, thanë autoritetet. Në disa zona të Kievit është ndërprerë energjia elektrike, përderisa sistemet e mbrojtjes ajrore raportuan se kanë zmbrapsur një sulm të Rusisë me raketa, që erdhi disa orë pasi Moska sulmoi këtë qytet me dronë. Në Harkiv, një person raportohet se është vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur në sulmet masive ruse në këtë qytet.
Sulmet vijnë një ditë pasi Rusia lëshoi 90 dronë Shahed në mbarë Ukrainën. Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se shteti i tij do të “intensifikojë” sulmet ndaj Ukrainës.
Paralajmërimi i Putinit më 1 janar erdhi pas granatimeve në qytetin kufitar rus të Belgorodit, ku u raportua për dhjetëra të vrarë dhe mbi 100 të plagosur. Rusia ka fajësuar Ukrainën për sulmin e 30 dhjetorit të vitit 2023.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky tha se Rusia ka lëshuar në shtetin e tij rreth 170 dronë Shahed, të prodhimit iranian, dhe dhjetëra raketa të ndryshme që nga 31 dhjetori.
“Për të tretën ditë me radhë, mbrojtja jonë ajrore po bën punë të jashtëzakonshme”, shkroi Zelensky në Telegram.
“I falënderoj të gjithë partnerët tanë që kanë ndihmuar në forcimin e mbrojtjes tonë ajrore. Është e qartë se kjo ndihmon në shtupimin e qindra jetëve çdo ditë dhe natë të cilat do të merreshin nga terrori rus nëse nuk do të ishte për Patriotët dhe sistemet e tjera të mbrojtjes ajrore”, shtoi ai.
Komanda e Forcave Ajrore ukrainase tha se me sulmet e 2 janarit, Rusia përsëriti sulmin masiv të 29 dhjetorit, në kuptim të numrit dhe llojeve të raketave të përdorura.
Më 29 dhjetor, Rusia bombardoi Ukrainën me rreth 158 raketa dhe dronë.
Guvernatori i rajonit të Harkivit, Oleh Synyehubov, tha se ky rajon është goditur më 2 janar me të paktën “katër sulme ajrore” që kanë shkatërruar ndërtesa dhe infrastrukturën civile.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 10 persona janë plagosur nga copëzat e raketave të rrëzuara.
“Shpërthime në kryeqytet”, shkroi ai në Telegram, duke u bërë thirrje banorëve që të strehohen. Më pas Klitschko raportoi se një person ka vdekur në spital nga plagët e marra gjatë sulmeve ruse.
Më herët, Forcat Ajrore ukrainase thanë se kishin shkatërruar 35 dronët e lëshuar nga Rusia pas mesnatës, që kishin për cak disa qytete ukrainase, përfshirë edhe Kievin.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe vazhdimisht kryen sulme me raketa dhe dronë në qytetet ukrainase./REL