Britania e Madhe vendos sot nëpërmjet referendumit për të mbetur ose jo në Bashkimin Evropian. Ky është referendumi i parë për lidhjet e këtij vendi me Evropën në më shumë se katër dekada.
Për muaj të tërë, politikanët e të dyja kampeve, pro dhe kundër, kanë bërë përpjekje të ndikojnë 46.5 milionë votuesit e ligjshëm.
Kryeministri britanik, David Cameron, u ka bërë thirrje bashkëkombasve që të refuzojnë të ashtuquajturin “Brexit” (daljen e vendit nga BE-ja).
Pjesa më e madhe e debatit është zhvilluar rreth ekonomisë, migracionit dhe asaj që disa e kanë perceptuar si kontroll burokratik të BE-së mbi çështjet e shteteve anëtare.
Ndërsa kreu i euroskeptikëve, Nigel Farage, ka bërë apelin e tij final në prag të referendumit, duke u shprehur se e enjtja do të jetë “dita e pavarësisë” për britanikët.
Në një fjalim të mbajtur në qendër të Londrës, Farage e ka cilësuar Bashkimin Europian “kartelin e bizneseve të mëdha”, që i pret krahët ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.





