Vota britanike për t’u larguar nga BE-ja ngre shqetësime afatgjata për rritjen ekonomike globale. Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se “Brexit” mund të ngrijë mundësitë e investimit në Britaninë e Madhe apo në të gjithë Evropën.

Gjatë fjalës së mbajtur në një Samit të Amerikës së Veriut, ku të pranishëm ishin edhe udhëheqësit e Kanadasë dhe Meksikës, Presidenti amerikan i bëri thirrje Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve të tjerë europianë të sigurojnë një proces të rregullt për dalje të Britanisë.

“Unë mendoj se ka shqetësime serioze për rritjen globale në planin afatgjatë, pasi Brexit të finalizohet, dhe sjell ngrirjen e investimeve në Britani dhe Evropë. Ritmi i rritjes ekonomike globale është që tani i dobët dhe situata e krijuar në Evropë nuk ndihmon aspak”, deklaroi Obama. 

Në një mesazh për Britaninë dhe Evropën, Obama tha se të gjithë duhet të tregohen gjakftohtë e të qetë. Sipas Obamës, procesi i daljes do të jetë i vështirë dhe sfidues, por nuk ka asnjë arsye pse të ketë panik.