Sugjerimet se lëvizja e lirë do të vazhdojë edhe përtej “Brexit”-it, apo largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, sipas “Downing Street” janë të gabuara.
Të premten e kaluar, Kancelari Philip Hammond paralajmëroi se kontrollet e plota do të marrin pak kohë, duke nxitur spekulimet se lëvizja e lirë mund të vijojë edhe pasi Britania të shkëputet përfundimisht nga BE-ja në mars të vitit 2019.
Por, mes pretendimeve për përçarje në kabinetin e saj qeverisës, Theresa May, ose më saktë zëdhënësi i saj u detyrua të sqaronte dhe të qartësonte se liria e lëvizjes do të merrte fund kur mbretëria ishullore të linte Bashkimin Europian.
Deklarata e “Downing Street” erdhi pas disa ditë paqartësish mbi të ardhmen e politikës së emigracionit gjatë fazave tranzitore pas “Brexit”-it.
Për momentin, shtetasit nga 27 vendet e tjera anëtare të BE-së kanë të drejtën të shkojnë, të punojnë apo të jetojnë në Britani.
Javën e kaluar, Sekretari i Brendshëm hartoi një sistem regjistrimi për shtetasit e BE-së që do të mbërrijnë pas marsit të 2019-s”.