Tregjet globale të aksioneve kanë humbur një rekord prej 3 trilionë dollarësh në dy ditët e kaluara të tregtimit, pas një shitjeje të fortë të kapitaleve në botë, në përgjigje të votës së referendumit të Britanisë për të lënë Bashkimin Europian.

Vëzhguesit thonë se rëniet  në ditën e parë, pas votimit të së premtes, kishin të bënin kryesisht me luhatjet afatshkurtra të pozicioneve të tregtimit, të lidhura me pritshmëritë që kishte për të votuar për qëndrim, përpara rezultateve shokuese. Shitjet e mëtejshme të hënën kishin të bënin më shumë me rivlerësimin afatgjatë të aseteve që i paraprinë potencialit të rënies së tregut si rrjedhojë e rezultatit të votimit, shkruan “Monitor”.

Në pikë përqindjeje, indeksi i gjerë global i tregut S&P, i njohur si BMI, ka rënë pothuajse 6.9%, rënia më e keqe dy ditore që nga kriza financiare në nëntor 2008 dhe e 12-ta në radhë në rekordet historike, sipas indeksit S&P Dow Jones.

Rënia nënkupton një humbje pothuajse 1 trilion dollarë për S&P 500, ose e treta rënie më e keqe dy ditore në termat e vlerës.

Pjesa më e madhe e humbjeve ishin në tregjet e zhvilluara, ku vlera e rënies ishte 2.8 trilionë dollarë, ndërsa tregjet në zhvillim kanë humbur 179 miliardë dollarë.

Të hënën, përveç humbjeve të rënda në bursat amerikane dhe europiane, ulja e oreksit për rrezik ka bërë që stërlina të arrijë një rekord të ri 30-vjeçar kundrejt dollarit.