Brigitte Macron nuk do të gëzojë dot statusin e “premiere dame” dhe privilegjet që rrjedhin prej tij.
Televizioni francez BFMTV, që citon burime pranë pallatit Elize, bën të ditur se në ditët e ardhshme do të publikohet e ashtuquajtura “karta e transparencës”, për të sqaruar rolin e Brigitte.
Në dokumentin në fjalë do të publikohen edhe emrat e bashkëpunëtorëve të saj, vijon më tej burimi mediatik.
Ndërkohë, peticioni kundër statusit të zonjës së parë për bashkëshorten e presidentit, i nisur në internet thuajse dy javë më parë, ka tejkaluar kuotën e 200 mijë firmave.
Iniciativa, që mban firmën e Thierry Paul Vallette, kryetar i Shoqatës për Barazi Kombëtare, synon të parandalojë krijimin e një statuti “ad hoc” për të zyrtarizuar rolin e zonjës së parë, për të cilën parashikohet një buxhet dhe një staf i gjerë.
“Nuk ka asnjë arsye përse bashkëshortja e kreut të shtetit duhet të pajiset me një buxhet nga fondet publike”, thuhet në tekstin e peticionit, ku nënvizohet se çështja duhet t’i nënshtrohet një referendumi.
Gjatë fushatës elektorale, Macron kishte njoftuar se në rast fitoreje bashkëshortja e tij do të mbulonte një post publik, pa përfituar asnjë shpërblim.
Sidoqoftë, peticioni vjen në një kohë kur në Parlament po diskutohet aprovimi ose jo i ligjit për moralizimin e jetës publike, ku mes masave të parashikuara është edhe ajo që u ndalon deputetëve të punësojnë familjarët e tyre.
Brigitte Macron nuk do të jetë “zonjë e parë”
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit