Emeli Sande dhe Ben Howard ishin fituesit kryesorë në ceremoninë e sivjetme të BRIT Awards që u mbajt të mërkurën mbrëma në Londër.
Krijuesja e hitit “My Kind of Love” fitoi çmimin e artistes më të mirë britanike dhe çmimin për albumin më të mirë, ndërsa kantautori Ben Howard u shpall artisti më i mirë dhe fitoi çmimin ‘zbulimi i vitit’.
Bendi folk-rok, “Mumford & Sons” u shpall grupi më i mirë britanik, ndërsa “Coldplay” u shpërblye me çmimin e performancës më të mirë live.
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, e cila ishte e nominuar në kategorinë ‘zbulimi i vitit’ dhe për këngën më të mirë (me dy këngët e saj, “RIP” dhe “Hot Right Now”) nuk arriti të triumfojë në këtë mbrëmje.
Veç kësaj, ajo është kritikuar edhe për veshjen e saj, e cila nuk ishte ashtu siç jemi mësuar ta shohim 22-vjeçaren duke shkëlqyer.