BRITANI, 09 mars 2013-Kleriku radikal Abu Qatada është arrestuar nën dyshimin se ka shkelur kushtet e lirimit të tij, disa ditë para se një vendim i ri i qeverisë britanike që urdhëroi dëbimin e tij. 

Ai u arrestua nga oficerët e agjencisë kufitare të Mbretërisë së Bashkuar, një ditë pas një seri operacionesh të policisë së Londrës kundër terrorizmit. 

Oficerët bastisën dy shtëpi dhe kontrolluan një pronë të tretë. Ditën e hënë, qeveria do të apelojë në Gjykatën e Apelit një kërkesë për të rrëzuar vendimin e mëparshëm të gjykatës që i lejonte Abu Qatada qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar. 

“Agjencia britanike e Kufijve arrestoi një 52-vjeçar nga veriu i Londrës nën dyshimin e shkeljes së kushteve të lirisë, të vendosura Komisioni i Posaçëm i Emigracionit”, ka deklaruar një zëdhënës i Home Office. 

Kleriku Abu Qatada jeton në një liri të kushtëzuar, të cilat përfshijnë lejimin e daljes nga shtëpia nga ora 08 në 16:00, mbajtjen e byzylykut elektronik dhe kufizim të personave që takon. 

Ndërkohë, nga aksionet e ndryshme anti-terrorizëm nuk ka pasur persona të arrestuar, raporton BBC në edicionin online. 

“Kontrollet në një zonë në veri-perëndim të Londrës, e banuar dhe me zyra të ndryshme biznesi, kanë përfunduar. Ndërsa në disa zona të tjera ato vazhdojnë”, ka deklaruar një zëdhënës i Policisë Metropolitane. 

Abu Qatada është shpallur fajtor për terrorizëm në Jordani, ku ai akuzohet për komplot me qëllim kryerjen e atentateve ndaj objektivave perëndimorë dhe atyre izraelitë para vitit 2000. 

Gjykimi i tij në Britani për dëbimin ose jo nga Mbretëria e Bashkuar ka qenë një sagë e vërtetë, me vendime të miratuara dhe më pas të tërhequra.