LONDER, 12 shkurt 2013– Mbretëresha Elisabetta II shpallet gruaja më e pushtetshme në Mbretërinë e Bashkuar. Lista e femrave më të pushtetshme në Britaninë e madhe është realizuar nga një grup ekspertësh të cilat kanë shprehur opinionet e tyre për programin radiofonik të BBC-së, 'Woman's Hour'.

Në listën prej 100 kandidatesh janë përfshirë edhe një ministre, sipërmarrëse dhe artiste, por çuditërisht aty mungon Dukesha e Kembrixhit, Kate Midleton, popullariteti i së cilës në vendin ishullor është i padiskutueshëm. “Zgjedhja,- thonë ekspertët që kanë hartuar listën,- është motivuar nga fakti që bëhet fjalë për një personazh “me influencë”, por jo “i pushtetshëm”.