Pajisjet me valë që transmetojnë të dhënat mbi nivelet e glukozës në gjak në telefonin celular personal, përdoren gjerësisht në Mbretërinë e Bashkuar nga ata që vuajnë prej diabetit të tipit 1. Por tashmë ato po tregtohen për të gjithë edhe për ata që nuk vuajnë nga diabeti. Prodhuesit e këtyre pajisjeve thonë se ato ndihmojnë në krijimin e zakoneve të mira të të ngrënit, por mjekët tërheqin vëmendjen duke theksuar se glukoza në gjak, nuk është i vetmi tregues i shëndetit të përgjithshëm.
Kjo pajisje që ngjitet në krah është ndër gjeneratat e reja të pajisjeve qe monitorojne glukozës ne gjak.
Nder vite njerëzit me diabet kanë përdorur forma të ndryshme të këtyre pajisjeve si një mënyrë alternative ndaj kontrollit qe bëhet duke shpuar gishtin.
Por kompani si Lingo dhe Zoe thonë se tani të gjithë përdoruesit mund të marrin informacion në kohë reale se si trupi i tyre reagon ndaj ushqimeve të ndryshme, duke u mundësuar atyre të shijojnë humbje të qëndrueshme në peshë dhe të përmirësojnë mirëqenien e përgjithshme.
“Lingo është krijuar për një audiencë që kërkon të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien, një investim i ngjashëm me atë që njerëzit bëjne duke shkuar në palestër, apo duke zgjedhur ekspertë të dietave ushqimore. Pajisja funksionon duke e vendosur në krah. Ajo transmeton nivelet e glukozës në kohë reale në telefonin tuaj inteligjent dhe më pas përdoruesi merr këshilla dhe njohuri të vogla se çfarë ndryshimesh mund të bëjë në jetën e përditshme duke krijuar zakone afatgjata, me qëllimin për t’u ndjerë më mire, me më shumë energji dhe humor të përmirësuar”, thotë Sarah Tan Menaxhere e Përgjithshme e Divizionit Evropian të Lingo.
Biznesmenia dhe nënë e dy fëmijëve Claire Reach është përdoruese e pajisjes me sensorë Lingo.
“Duke ditur që kam familjarë që vuajnë nga diabeti i tipit dy apo demenca, nuk dua të kem asnjërën nga këto për një kohë të gjatë. Pra kjo lidhet me atë se çfarë masash duhet të marr, për të përmirësuar shëndetin tim”, thotë ajo.
Rritja e popullaritetit të monitorëve tek njerëzit që nuk vuajnë nga diabeti është përshpejtuar vitet e fundit.
Zoe, një kompani që shet monitorët në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se në vitin 2022 kishte në listë pritjeje 200 mijë persona që dëshironin ta përdornin pajisjen dhe aktualisht ka më shumë se 100,000 përdorues.
Lingo, i cili u hodh ne treg në vitin 2023, është një pajisje për jo diabetikë, që vendoset në trup, prodhuar nga Abbott, kompania farmaceutike amerikane që qëndron pas pajisjes më të përdorur të glukozës në botë për diabetin.
Por disa mjekë të specializuar janë të shqetësuar se njerëzit që i përdorin ato rrezikojnë të mos u kushtojnë vëmendje treguesve të tjerë të rëndësishëm që lidhen me shëndetin.
“Duke u përqendruar me tepër në një aspekt te metabolizmit, tek glukoza, një individ mund të neglizhojë aspekte të tjera të lidhura me shëndetin. Për shembull tensionin e gjakut, nivelet e kolesterolit ose peshën ose gjëra të tjera që lidhen me shëndetin”, thotë Doktoreshë Shivani Misra, konsulente në Imperial College London.
Organizata Diabetes UK thotë kjo gamë e re pajisjesh, sjell shumë përfitime për pacientët me çrregullime të sheqerit në gjak, por paralajmëron gjithashtu se kontrolli me to, nuk është gjithmonë aq i saktë krahasuar me kontrollin që bëhet falë shpimit të gishtit dhe disa njerëzve mund t’u duhet kohë për t’u mësuar me teknologjinë. Po kështu kërkohet që sensori të vendoset në mënyrë të përhershme në krah, gjë që nuk i përshtatet të gjithëve./ VOA