LONDËR, 24 prill 2013 – Një ligjvënëse britanike është quajtur me përçmim “Enver”.
Gazeta e njohur britanike “The Telegraph”, në numrin e saj të 24 prillit shkruan se “pak deputetë kanë më shumë pushtet apo më tepër rëndësi sesa Margarit Hoxh (Margaret Hodge)”,që nga viti 2010 kryetare e komisionit për shpenzimet publike në Dhomën e Komunave.
Dikur ka qenë kryetare laburiste (e majtë) rrëmujaxhie (firebrand) e këshillit të minibashkisë së Islingtonit, në Londër – kaq radikale ishte, saqë iu vu nofka “Enver”, shkruan e përditshmja.
Zonja Hoxh u zgjodh kryetare e këshillit në minibashkinë e Londrës, Islington, në vitin 1982 (atëherë ishte 38 vjeçe), post që ajo e mbajti deri në vitin 1992.
Gjatë 10 viteve si kryetare e këshillit të Islington-it ajo thirrej me nofkën “Enver Hodge”, emri i despotit shqiptar, Enver Hoxha (“Hoxha” shqiptohet njësoj si “Hodge” në anglisht), shkruan “The Telegraph”.
Këtë periudhë të drejtimit me dorë të fortë, gazetarët dhe kundërshtarët e saj e kanë quajtur “Republika Popullore e Islington-it” (People's Republic of Islington).
Në shtypin britanik është botuar një fotomontazh i fotos së njohur së Stalinit me Enver Hoxhën, ku në vend të fytyrës së diktatorit shqiptar, është vënë ajo e zonjës Margaret Hoxh.
68-vjeçarja Hoxh është një politikane kontraverse britanike, ka qenë ministre në qeveritë laburiste dhe është akuzuar për heshtjen që ka mbajtur për rastet e abuzimit me fëmijë.
Gjithsesi është dekoruar nga Mbretëresha me MBE [Member of the Most Excellent Order of the British Empire].
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





