Pothuajse 8 milionë vende pune në Britaninë e Madhe mund të humbasin për shkak të inteligjencës artificiale (IA), sipas një raporti që paralajmëron se gratë, punëtorët e rinj dhe ata me paga më të ulëta janë në rrezik më të madh, shkruan The Guardian.
Instituti për Kërkimin e Politikave Publike (IPPR) ka thënë se niveli fillestar, punët me kohë të pjesshme dhe ato administrative ishin më të ekspozuara ndaj zëvendësimit nga IA sipas një “skenari të rastit më të keq” për përhapjen e teknologjive të reja në tre deri në pesë vjetët e ardhshme.
“Britania po përballet me numër në rritje të kompanive që miratojnë teknologjinë e IA-së – të cilat mund të lexojnë dhe krijojnë tekst, të dhëna dhe kode softuerësh – për të automatizuar detyrat e përditshme në vendin e punës”, shkruan gazeta britanike
Raporti ka thënë se kjo valë e parë e adoptimit të IA tashmë po i rrezikonte vendet e punës. Megjithatë, një valë e dytë mund të çojë në humbjen e më shumë vendeve të punës.
Duke analizuar 22 mijë detyra në ekonomi që mbulojnë çdo lloj pune, IPPR ka thënë se 11% e detyrave të kryera aktualisht nga punëtorët ishin në rrezik. Megjithatë, kjo mund të rritet në 59% në valën e dytë ndërsa teknologjitë zhvillohen për të trajtuar procese gjithnjë e më komplekse.
Gratë do të prekeshin dukshëm më shumë, pasi “kanë më shumë gjasa të punojnë në profesionet më të ekspozuara, siç janë profesionet e sekretarisë dhe administrative”, ka thënë IPPR-ja.