Pas stuhive “Ciara” dhe “Dennis”, që përfshinë Evropën dhe veçanërisht Britaninë e madhe, javët e shkuara, dy stuhi të reja, “Ellen” dhe “Francis”, do të godasin rajonin në fund të kësaj jave.

Sidoqoftë, ekspertët thonë se stuhitë e reja do të jenë më të vogla në përmasa se “Ciara” dhe “Dennis”, por kjo nuk do të thotë se do të jenë më pak të dhunshme.

Ndërkohë stuhia “Dennis”, që tashmë po humbet fuqinë, ka gjunjëzuar Britaninë e Madhe. “Dennis” ka bërë që të ketë probleme në transport në të gjithë vendin me disa rrugë kryesore të mbyllura dhe linja hekurudhore të bllokuara. Shumë shkolla janë mbyllur, ndërsa qeveria po ndjek nga afër situatën dhe ka aktivizuar fondet e emergjencave për zonat e prekura. Sasi shiu që normalisht regjistrohen në një muaj të tërë, janë regjistruar në vetëm 48 orë në disa zona.

Dhe tani që “Dennis” po dobësohet, kërcënojnë “Ellen” dhe “Francis”. Emrat e stuhive janë zgjedhur nga zyra britanike e meteorologjisë. Vendi që lëshon i pari një alarm portokalli për një stuhi zgjedh emrin e saj nga një listë. Emri më pas mbetet i njëjtë për të gjitha vendet e tjera.