Britania e Madhe është kthyer në vatrën më të nxehtë të koronavirusit për momentin në mbarë globin. Ndërsa në shumë shtete të tjera shifrat e infektimeve dhe ato të viktimave janë në rënie, e kundërta ndodh në Britani.
Në 24 orët e fundit, autoritetet britanike të shëndetësisë raportuan për mbi 57 mijë infektime, shifra më e lartë kjo e regjistruar ndonjëherë në këtë vend. Një pjesë e rasteve të reja raportohet se janë të llojit të ri të koronavirusit.
Për të kufizuar përhapjen e shpejtë të virusit, në Britani ekspertët e shëndetësisë nisur nga efektshmëria e lartë e vaksinës kanë propozuar vaksinimin e një numri më të madh personash me një dozë të vetme, sesa vaksinimin e një numri të vogël personash me dy doza.
Në mbarë globin numri i infektimeve ka arritur në mbi 85 milionë, ndërsa ai i viktimave në 1 milion e 843 mijë.