TIRANË, 20 gusht 2013 – Sipas një e-maili nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë (konfirmuar dhe në menynë e zhbllokuar të sajtit të Ministrisë së Mbrojtjes), në mesditën e 19 gushtit 2013 shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, priti në një takim zyrtar zëvendës-ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar të në Tiranë, z. Stefën Hikling (Stephen Hickling). Një vend të veçantë në bisedime zuri stërvitja e përbashkët shqiptaro-britanike “Albanian Lion 2013”, e cila po zhvillohet në vendin tonë nga data 11 gusht-13 shtator 2013. Gjeneralmajor Gjunkshi e konsideroi stërvitjen ndër më të mëdhatë të këtij lloji të zhvilluara në vendin tonë dhe siguroi diplomatin britanik për marrjen e masave dhe përmbushjen me sukses të misionit të stërvitjes së përbashkët dypalëshe. Z. Hikling vlerësoi angazhimin mjaft serioz të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA në krijimin e të gjitha kushteve për zhvillimin e suksesshëm të stërvitjes “Albania Lion 2013”.
Imami, shpërfillje ndaj anglo-amerikanëve
Tërheq vëmendjen fakti se zëvendës-ambasadori Hikling vjen brenda 6 ditëve dy herë në zyrën e Gjunkshit, pasi, më 13 gusht 2013, në mesditë, kishte shoqëruar ambasadorin britanik në Tiranë Nikollës Kenën (Nicholas Cannon) në takimin me gjeneralmajorin shqiptar. Me sa duket, “Luani Britanik” ka marrë nën kujdestari Gjunkshin, pas përplasjes së këtij të fundit për problemin e shpronësimit SHQUP-it (ndryshe, QKMBM – Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes) me ministrin Arben Imami, Kryeministrin Sali Berisha dhe Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, President i Republikës Bujar Nishani (Mehmeti). E çuditshme, ministri Imami ka pritur lloj-lloj punonjësish ambasadash të tjera, por nuk “begenis” përfaqësuesin plotfuqishëm të Mbretërisë së Bashkuar. Në fakt, ka të “drejtë”: nuk ua vari amerikanëve të fregatës, të pajisur me helikopterë Sykorski. Dihet që Imami kishte flakur nga tenderi kompaninë amerikane për hatër të helikopterëve francezë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





