Jo ndryshimit të traktateve nga Britania shkakton përçarje me Francën, Gjermania triumfuese, eurozona nis procesin e reformimit nëpërmjet marrëveshjeve ndërqeveritare.

BRUKSEL: Pas rreth 10 orë maratonë bisedimesh intensive, krerët e Bashkimit Europian nuk arrin të kenë një qëndrim unanim në lidhje me forcimin e insitucioneve europiane dhe zgjidhes së krizës së eurozonës. Takim i 27-çes u mbyll në orët e para të mëngjesit me kundërqëndrime të ashpra midis Francës nga njëra anë dhe Britanisë së Madhe nga ana tjetër, e cila, me tone aspak të kursyera nuk pranoi të bëhej pjesë e marrëveshjeve të propozuara. Pas dështimit të bisedimeve ndërmjet 27 anëtarëve, për rreth 1 orë e gjysëm, u mbajt një takim midis 17 anëtarëve të Eurozonës të cilët, edhe pse pa ndryshuar traktatet arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët duke përdorur si instrument marrëveshjet ndërqeveritare. Grupimit të eurozonës ju bashkangjitën edhe “vullnetarët”: Danimarka, Polonia, Bullgaria, Letonia, Lituania dhe Rumania. Republika Çeke dhe Suedia edhe pse parimisht dakord, kërkuan kohë për t'u konsultuar me parlamentet përkatës pasi juridiksht mandati i tyre nuk e lejon një gjë të tillë.     

Nicolas SARKOZY: Në konferencën për shtyp të mbajtur orët e para të mëngjesit, presidenti i Francës Nicolas Sarkozy, nuk i ka kursyer akuzat e drejtëpërdrejta ndaj Britanisë së madhe. “Debatuam gjatë dhe u përballëm me vështirësi të mëdha sa i takon formës juridike të adoptueshme për arritjen e modifikimit të traktateve dhe implementimin e reformave” tha Sarkozi, duke ju referuar ndërhyrjeve të domosdoshme për përforcimin e normativave të Bilanceve . “Por nuk arritëm të shkonim përpara me 27 anëtarë, kështu që vendosëm të proçedojmë me marrëveshje ndërqeveritare midis 17 vendeve të zonës Euro, duke lënë të hapur mundësinë e aderimit për këdo që dëshiron të bëhet pjesë”. Së fundi edhe akuzat ndaj Kryeministrit Britanik: “Kryeministri David Cameron kërkoi një protokoll garancie në mbrojtje të sistemit të tij financiar si dhe përjashtimin e Britanisë së madhe nga rregullat për shërbimet financiare. Kjo kërkesë është e papranushme” – vazhdoi Sarkozi – “për faktin se pikërisht nga ky sektor lindën disa nga problemet e krizës aktuale”.

David CAMERON: I palëkundur në qëndrimin e tij dhe dukshëm i kënaqur ka qenë kryeministri Britanik i cili nuk vonoi t'i kundërpërgjigjej presidentit Francez: “Ne nuk kemi dashur dhe nuk duam të aderojmë në Euro. Jemi të kënaqur që jemi jashtë saj ashtu siç jemi të kënaqur që nuk bëjmë pjesë në Shengen. Ne nuk duam të heqim dorë nga sovraniteti ynë ashtu siç po bëjnë vendet e tjera. Ne duam ta kemi vetë në dorë  politikën tonë monetare. Ajo që na u ofrua nuk ishte e volitshme për Britaninë e Madhe, kështu që le të vijojnë të bëjnë një traktat midis tyre”. Qëndrimi Britanik ka gjetur  mbështetjen e Hungarisë, e cila  pas deklarimit financiar të pak ditëve më parë mesa duket po rishikon pozicionin e saj në lidhje me Euron.

Angela MERKEL: Ndryshe nga Sarkozi, Merkel ka deklaruar se ndihet e kënaqur dhe besimplotë për rezultatet e mira të arritura. “E kam thënë gjithmonë që 17 vendet e Eurozonës duhet të rifitojnë besueshmëri. Besoj se nëpërmjet vendime të marra sot kjo gjë do të arrihet me siguri”. Miratimi i rregullave dhe saksioneve të rrepta për disiplinimin e bilanceve dhe mospërfshirja në bisedime të argumentave kyç të refuzuar me ngulm nga Merkel (Eurobondet dhe roli i Bankës Qendrore Europiane) padyshim shënojnë triumfin dhe konfirmojnë supremacinë gjermane në politikën e BE-së.

 

Europa me dy korsi

Dështon marrëveshja e bashkimit me 27 anëtarë, vazhdojnë më tej 17 vendet e eurozonës, arrihet marrëveshje mbi bashkimin fiskal, reformohet fondi i shpëtimit.Pamvarësisht mosarritjes së marrëveshjes nga 27 anetarët e Bashkimit Europian, 17 vendet anëtare të Eurozonës vendosën të vijojnë rrugën e tyre drej bashkimit fiskal dhe ekonomik nëpërmjet marrëveshjeve ndërqeveritare. Edhe pse nuk do të kenë forcën dhe vlefshmerinë e traktateve këto marrëveshje do të mundësojnë përparimin e mëtejshëm në konsolidimin ekonomik të zonës euro dhe shpresohet do të shërbejnë në përballimin me sukses të krizës. Në fakt ajo çka ndodhi gjatë samitit të 9 dhjetorit ishte deri diku e pritshme. Pritej që Gjermania dhe Franca të paraqiteshin përpara vendeve anëtare me një zgjidhje të përbashkët duke lënë të hapur derën për këdo që kërkon të bëhet pjesë. Pritej ndoshta edhe kundërshtimi britanik por jo në atë masë dhe në atë formë. Sidoqoftë, mjaftuan më pak se dy orë që binomi Sarkozy-Merkel të linte mënjanë dëshpërimin e shkaktuar nga Cameron duke arritur të shënojnë disa hapa të rëndësishem në Europën e re tashmë me dy korsi.


 

Marrëveshjet

Pakti për bashkimin Fiskal

17 vendet e zonës euro së bashku me anëtarë të tjerë të bashkimit Europian kanë shprehur vullnetin për të vënë në jetë një kuadër normash juridike për disiplinimin e bilanceve. Normat e reja që do të mundësojnë zbatimin e sanksioneve automatike në rast mozbatimi të marrëveshjeve me përjashtim të rastit kur tre të katërtat e anëtarëve të votojnë kundër. Është parashikuar që rregullat e reja të bëhen pjesë e kushtetutave të vendeve anëtare. Pa dyshim kjo është një arritje për Gjermaninë dhe Kancelaren Merkel e cila prej kohësh insiston me ngulm për saksione dhe masa më të forta dhe mbi të gjitha automatike, për shtetet që nuk i përmbahen marrëveshjeve dhe traktateve.

Mekanizmi i Stabilitetit Europian

Fondi i shpëtimit apo European Stability Mechanism, do të përshpejtohet me synimin për të hyrë në fuqi që nga Korriku i 2012. Gjithashtu, është miratuar rritja e buxhetit të këtij fondi në 500 milard euro. Ky vendim, së bashku me paktin fiskal nga njëra anë dhe lënia mënjanë e mundësisë së emetimit të Eurobondeve dhe ndryshimit të rolit të Bankës Qëndrore nga ana tjetër, pa dyshim shënojnë edhe triumfin e Gjermanisë në këtë samit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar

Liderët europian u impenjuan të marrin në konsideratë mundësinë e huadhënieve bilaterale me FMN për një shumë prej 150 milard Euro. Kësaj shume mundet t'i shtohen dhe 50 milard euro të tjera nga vendet jashtë Eurozonës.

Mbrojtja e Investitorëve privatë

Mea Culpa e pranuar nga liderët Europian për mënyrën se si u menaxhua situata e investitoreve privatë u detyruan të suportonin koston e shvlerësimit të titujve Grekë në portofolin e tyre. Një situatë e tillë nuk do të përsëritet më – ka qenë premtimi i 17-çes. Ditët në vijim parashikohen të jenë intensive për arsye se rregullat e reja të lartpërmendura duhen plotësuar me detajet e nevojshme në një kohë sa më të shkurtër.