Gazeta britanike “Daily Express” ka botuar hartën, ku bëhet një renditje të vendeve të sigurta në Evropë për turistët. Lista është hartuar në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komunuelthit të Britanisë së Madhe dhe është një lloj rekomandimi për britanikët, të cilët kanë vendosur të pushojnë këtë verë jashtë vendit.

Lista me nivelin më të lartë të veprimtarisë terroriste përfshin vende evropiane si Britania e Madhe, Turqia, Belgjika, Franca, Gjermania, Rusia dhe Spanja.

Austria, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina, Danimarka, Greqia, Italia, Kazakistani, Holanda, Maqedonia, Qiproja, Suedia dhe Ukraina hynë në listën e vendeve me rrezik të rritur të veprimtarisë terroriste.

Lista e vendeve me nivel të ulët të kërcënimit terrorist përfshin Shqipërinë, Bjellorusinë, Bullgarinë, Finlandën, Gjeorgjinë, Irlandën, Kroacinë, Luksemburgun, Malin e Zi, Monakon, Norvegjinë, Portugalinë, Rumaninë, Serbinë dhe Sllovakinë.

Vende të sigurta konsiderohen Andorra, Armenia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Islanda, Letonia, Lihtenshtejni, Lituania, Malta, Moldavia, Polonia, San Marino, Sllovenia dhe Zvicra.

 

Info sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komunuelthit të Britanisë së Madhe

Shqipëria

Mbi 80,000 shtetas britanikë vizitojnë Shqipërinë çdo vit. Nuk kanë probleme në shumicën e udhëtimeve turistike.  

Nga dhjetori në shkurt moti i ashpër mund të shkaktojë përmbytje, sidomos në veri të Shqipërisë. Dëbora e madhe në zonat malore mund të çojë në ndërprerje të transportit dhe shërbimeve.

Siguria publike është përgjithësisht e mirë, sidomos në Tiranë. Krimi dhe dhuna mund të ndodhin në disa zona, por nuk është tipike dhe nuk ka si objektiv të huajt. Është e përhapur armëmbajtja.

Kur vizitojnë qytete kodrinore / malore historike në kufirin verior me Kosovën, duhet të tregojnë kujdes dhe të respektojnë shenjat paralajmëruese për minat e paplasura dhe mjetet tjera të pashpërthyera.

Nuk ka shenja të kërcënimeve terroriste.